Politike

Akuzat e Berishës / Majko i dërgon shkresë SHISH: Më konfirmoni nëse jam vënë nën përgjim

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ duke i kërkuar që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion lidhur me akuzat e kryedemokratit Sali Berisha ndaj tij se është përgjuar nga SHISH.

“Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj”, shkruhet në shkresë.

Pandeli Majko shprehet në letrën drejtuar SHISH se si deputet ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij.

“Lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekziston një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të çdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin tim”, shkruan ligjvënësi socialist.

Teksa kërkon informacion për këtë çështje, Majko shkruan se përgjigja prej SHISH duhet të kthehet brenda 15 ditësh në të kundërt do të verë në dijeni dhe kryeministrin.

Në konferencën për shtyp më datë 6 janar, Berisha akuzoi deputetin socialiste Pandeli Majko si kriminel elektoral. Ai aludoi edhe për një përgjim të SHISH ndaj Majkos në Kukës ku flitej për pazare elektorale. Këto deklarata erdhën pasi Majko kaloi nga drejtues politik qarku i PS-së në Kukës, në një nga zonat e Tiranës.

Më pas Majko reagoi duke thënë se Berisha servir vetëm gënjeshtra nga publikut, ndërsa një ditë më pas u takuar me kryeparlamentaren Spiropali, teksa i kërkoi Kuvendit të sqarojë pretendimet e Berishës si i përgjuar nga SHISH.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë