Motosport

Akuza të forta për FIA-n: E korruptuar si FIFA

Shtohen pakënaqësitë te Formula 1 që në pritje të startit të sezonit të ri, i parashikuar për javën e ardhshme, i sheh skuderitë të revoltuara kundër FIA-s dhe Ferrarit për çështjen “power unit”. Pas replikës së drejtuesve të Formulës 1 me një komunikatë të shpërndarë për 7 skuderi, me në krye Mercedesin, konsulenti i Red Bull-it, Helmut Marko, ka lëshuar akuza të forta, duke e krahasuar FIA-n me FIFA-n për skandalin e korrupsionit në dyvjeçarin 2015-2016.

Në një intervistë për “Munchner Merkur”, Marko e ka drejtuar gishtin te FIA dhe Ferrari për lojë të pandershme. “E gjitha kjo situatë është e njëjtë me atë që ndodhi me FIFA-n. Mes FIA-s dhe FIFA-s ka vetëm një shkronjë diferencë”, u shpreh konsulenti i Red Bull-it. Në rastin e cituar nga Marko u përfshinë në skandal drejtuesit e atëhershëm të FIFA-s dhe UEFA-s, Zhozef Blater dhe Mishel Platini, të cilët u shpallën fajtorë nga gjykata, pasi kishin thyer kodin etik të Federatës së futbollit. Situata e krijuar aktualisht në Formula 1, sipas konsulentit të skuderisë Red Bull, është një “vetëvrasje politike nga Zhan Todt”.

“FIA ka diskretituar një sport, ku çdo vit investojmë numra me tre shifra dhe këtu flasim për miliona euro”, shton Marko. Ka mbetur edhe më pak se një javë nga nisja e sezonit dhe me situatën aktuale duket se do të jetë një Botëror i egër, ku Ferrari duhet të mbrohet nga sulmet e rivalëve jo vetëm në pistë.

Pak ditë më parë pati një reagim të fuqishëm nga 7 skuderi, sapo FIA bëri të ditur me një komunikatë mbylljen e hetimeve të nisura vitin e kaluar për Ferrarin. Sipas këtyre skuderive, FIA nuk është treguar aspak transparente në këtë hetim dhe ka bërë një marrëveshje sekrete me Ferrarin për mbylljen e çështjes. Reagimit të skuderive të udhëhequra nga Mercedesi, FIA iu përgjigj me një komunikatë zyrtare, ku sqaronte se gjithçka ishte bërë sipas ligjeve në lidhje me hetimin për Ferrarin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë