GzetaSi - SPAK ka lëshuar urdhër-arrest për Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi, i njohur ndryshe si “Rrumi” pas akuzave për korrupsion për tjetërsimin e pronave në zonën e Gjirit të Lalzit.
Prokuroria e Posaçme tha se gjatë hetimeve është bërë e mundur evidentimi i një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare të quajtur “Gjiri i Lalzit”, Durrës.
Sakaq, me akuzën e “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SPAK ka caktuar masën "arrest në shtëpi" për një avokat.
Po ashtu, Struktura e Posaçme vendosi sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203.100 (dyqind e tre mijë e njëqind) metra katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.
Hetimet për këtë çështje nisën disa muaj pas atentatit të viti 2019, ndaj ish-Prokurorit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos i njohur me pseudonimin "Rrumi", ngjarje ku humbi jetën shoferi Andi Maloku.
Në telefonat e sekuestruar nga ana e SPAK për këtë ngjarje, u gjetën biseda dhe video ku flitej për tjetërsimin e pronave në zonën e Gjirit të Lalzit.
Organi i akuzës dyshon se janë falsifikuar dokumente me qëllim regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Në njoftimin e dhënë, SPAK njofton se është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ dhe për një ish-avokat, i quajtur Irgen Kerçuku që sipas hetimeve dyshohet se është përfshirë në këtë skemë korruptive.
Në kuadër të këtij procedimi, më herët janë vënë nën sekuestro qindra mijëra metra katorë tokë, teksa këtë martë Struktura e Posaçme njofton dhe vendosjen e sekuestros preventive të një sipërfaqe prej 203 mijë metrash katrorë në Gjirin e Lalëzit.
Kjo është masa e dytë në ngarkim të Aleksandër Lahos apo Landi Mharremit, pasi ky i fundit është edhe në kërkim policor për heqje të paligjshme të lirisë pas dëshmisë se vëllezërve Beqiraj, që dyshohen si vrasës me pagesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.