Politike

Akuza për fshehje të pasurisë nga PD, deputeti i PS nën hetim?

“Gjykata e Apelit në Tiranë ka urdhëruar prokurorinë që të nisë hetimet ndaj deputetit të PS-së, Ervin Bushati për fshehje të pasurisë”.

Partia Demokratike, në një deklaratë publike ditën e sotme, ka bërë të ditur se Gjykata ka rrëzuar Prokurorinë, duke kërkuar që të hetohet për fshehje të pasurisë deputeti socialist.

Prokuroria e Tiranës i mbylli hetimet, edhe pse Gjykata e Shkallës së Parë kishte urdhëruar që të vazhdonte procesi hetimor ndaj Ervin Bushatit.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit e Tiranës, e cila ka pranuar kështu ankimimin e Partisë Demokratike. Bushati u akuzua nga PD për fshehje të pasurisë, por prokuroria e Tiranës i pushoi këto hetime.

Ky vendim i prokurorisë bëri që PD të ankohej fillimisht në Gjykatën e Tiranës, e cila vendosi të pranojë kërkesën e  Partisë Demokratike, por vendimi u apelua nga prokuroria në Gjykatën e Apelit, e cila këtë të mërkurë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke urdhëruar prokurorinë të vijojë hetimet.

PD thotë se pas këtij vendimi, organi i prokurorisë është ligjërisht i detyruar që të procedojë penalisht deputetin Ervin Bushati, për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.

“Mbetet për t’u parë rezultati i hetimit dhe nëse deputeti i mazhorancës do të dënohet apo jo penalisht për fshehjen e pasurisë” thuhet në reagimin e PD-së.

Partia Demokratike i bëri për herë  të parë akuzat në tetor të vitit 2018, ku tha se Bushati nuk justifikon 7 pasuri të paluajtshme, në të cilat përfshihen: 1. Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall në Tiranë. 2. Një pasuri me sipërfaqe 600 m2 truall në Tiranë. 3. Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall po në Tiranë. 4. Një ndërtesë me sipërfaqe 76 m2 në Qerret Kavajë. 5. Një pasuri me sipërfaqe 376 m2 truall në Qerret, Kavajë. 6. Një pasuri me sipërfaqe 660 m2 truall në Sarandë. 7. Një garazh me sipërfaqe secila 42 m2 në Sarandë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë