Nga Gazeta Si- Pas disa denoncimeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pranoi sot prezencën e toksinave kancerogjene në produktet shqiptare të qumështit.
Sipas një njoftimi, AKU gjeti qumësht me aflotoksinë në qytetin e Vlorës. Aflatoksina M1 është një toksinë që kalon në qumështin e kafshëve kur ato ushqehen me foragjere të kontaminuara dhe njihet për potencialin e saj kancerogjen.
Gjatë një fushate monitorimi të zhvilluar nga janari deri në prill 2025, AKU analizoi 26 mostra të ndryshme qumështi dhe nënproduktesh të tij në këtë qytet. Rezultatet treguan se 10 nga këto mostra, pra afro 40%, përmbanin nivele të aflatoksinës M1 mbi kufijtë e lejuar nga standardet e sigurisë ushqimore.
Pas konfirmimit të analizave laboratorike të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), AKU nisi verifikimet në pikat e shitjes ku dyshohej se ishin shpërndarë produktet e kontaminuara. Të gjitha produktet e identifikuara si të pasigurta janë tërhequr nga tregu, sipas AKU.
Shoqata e përpunuesve të qumështit reagoi pas njoftimit të Autoritetit, duke e përgënjeshtruar.
“Theksojmë se aktualisht nuk ka asnjë çështje të hapur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ndaj ndonjë prej kompanive të përmendura në këto lajme, lidhur me problematika të aflatoksinës”, shkruhet në reagimin e shoqatës, ku shton se në një treg gjithnjë e më të hapur ndaj produkteve të importuara, “është e dhimbshme të shohim që herë pas here përhapja e lajmeve të pabazuara rrezikon të dëmtojë punën dhe përpjekjet e mijëra fermerëve dhe përpunuesve shqiptarë, në një kohë kur mbështetja për prodhimin vendas është më e rëndësishme se kurrë.
Si industri dhe fermere, riafirmojmë përkushtimin tonë për sigurinë, cilësinë dhe transparencën ndaj çdo familjeje shqiptare”, thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.