Një nga zonjat e mëdha të Teatrit shqiptar, aktorja Margarita Xhepa feston ditëlindjen. Në këtë 2 prill, Xhepa mbush 90 vjeç.
Galeria e shumtë e roleve që ka mbajtur mbi supe i kanë dhënë një vend nderi në artin shqiptar.
Edhe Teatri Kombëtar e uron aktoren e madhe shqiptare në ditën e saj të lindjes.
“Teatri Kombëtar uron ikonën e skenës shqiptare, Znj. Margarita Xhepa, me rastin e ditëlindjes! Shëndet, mbarësi e jetë të gjatë !”.
Në skenën e teatrit dhe kinemanë shqiptare, ajo mbetet ndër aktoret më të vlerësuara. “Nderi i Kombit” Margarita Xhepa, i ka dhënë aq shumë teatrit dhe filmit shqiptar. Ajo ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe vijon të jetë protagoniste në filma dhe teatro bashkëkohore. Filmi “Bolero në vilën e pleqve”, me regji të Spartak Pecanit, ku vjen me rolin e nënës do ta rikthente Xhepën në kinema në premierën e filmit rreth dy muaj më parë.
Rolet më të spikatura të aktores Margarita Xhepa ndër vite
Ajo ishte një Zonjë Bërling e përsosur në dramën e Xhon Pristlit “Vizita e Inspektorit” që u vu në skenë nga regjisori i ri Dhimitër Pecani dhe u shfaq në Teatrin e Popullor në vitin 1980. Ajo u shfaq si një grua potente, racionale, me një paraqitje stoike, po aq ambicioze dhe mbrojtëse e interesave të ngushta të familjes së vet.
Morali i zonjës Dulska
Margarita Xhepa tashmë e konsoliduar në mjeshtërinë e saj, na shfaqet me rolin e Melës tek tragji-komedia e dramaturges polake Grabiela Zapolska “Morali i zonjës Dulska”. Vlera e këtij spektakli ishte zbulimi dhe demaskimi i falsitetit, hipokrizisë dhe korrupsionit, që fshiheshin pas luftës së një familjeje në shoqërinë borgjeze.
Klea tek komedia e Gulhieme Figueiredos
Një tjetër rol i saj, që ka prekur suksesin, është roli i Kleas në komedinë e Gulhieme Figueiredos, që u shfaq në pranverën e vitit 1961. Duke folur për shfaqjen, kritika e kohës do të nënvizonte: “Pamja e Margarita Xhepës ishte shkëlqyese dhe u përgjigjet në mënyrë harmonike ndjesive shpirtërore prej femre të kultivuar, të pasionuar dhe inteligjente!”.
Nëna e Kostandinit
“Kostandini dhe Doruntina” kishte parë dritën e skenës në Teatrin Kombëtar në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar dhe në fundin e dhjetëvjeçarit të ri të shekullit njëzet e një, kapërcen kufirin nëpërmjet skenës greke. Tanimë shfaqja do të quhej “Besa e vëllait të vdekur” dhe do të jepej më 12 prill 2009 në Teatrin “Kappa” të Athinës, në një vështrim të ri prej regjisorit grek Sotiris Haxaqis. Ishin mbledhur e harmonizuar këtu të gjitha variantet e kësaj legjende të prodhuar në trevën ballkanike, për të krijuar atë vepër unike universale që u quajt “Mrekullia e vitit”! Thuajse e njëjta legjendë e interpretuar në pesë gjuhët e Ballkanit, me tre nëna njëherësh në skenë (greke, rumune e shqiptare), ku do të spikaste Nëna e Kostandinit, Margarita Xhepa.
Një sukses i madh i aktores ka qenë pjesëmarrja në filmin grek “Mirupafshim”, me regjisor Jorgo Koras dhe Kristo Vukuras, ku Margarita luajti rolin e nënës me aktorin më të kërkuar grek, Aqis Sakelariu. Në të gjitha faqet e para të shtypit grek shkëlqente portreti i aktores shqiptare Margarita Xhepa.
Një tjetër sukses i Margarita Xhepës, ishte pjesëmarrja në Teatrin Kombëtar të Athinës me “Elektra” e Sofokliut në rolin e dados, me regjisorin e njohur grek, Dhimitër Mavriqo.
Kush është Margarita Xhepa
Margarita Xhepa ka lindur më 2 prill të vitit 1932 në Lushnje. Ajo e nisi kontributin e sajnë teatër që viti 1950, kur u aktivizua si artiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Njëkohësisht me punën ajo ka bërë edhe studimet në Liceun Artistik, Dega e Dramës.
Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek "Majlinda" (Xh. Broja), Dafina tek "Lumi i vdekur" (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek "Cuca e maleve" (Loni Papa), Zonja Mëmë tek "Kush e solli Doruntinën" (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna "Përballë vetes" (Ruzhdi Pulaha) etj. Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek "Hamleti", Vajza e dytë tek "Mbreti Lir", Dado tek "Romeo e Xhulieta", Mbretëresha Margaret tek "Rikardi i III", të Shekspirit.
Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek "Dhelpra dhe rrushtë" (Figereido), Lena tek "Xhaxha Vanja" (Çehov), Ledi Milford tek "Luiza Miler" (Shiler), Zonja Berling tek "Vizita e inspektorit" (Pristli), Zonja Lomen tek "Vdekja e një komisioneri" (A. Miller), Ana Andrejevna tek "Revizori" (Gogol), Marsela tek "Qeni i kopshtarit" (De Vega), Mashenka tek "Mashenka" (Afigenov), Shejla tek "Morali i zonjes Dulska" (Zapolska), apo Dado tek "Elektra" e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë. Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë.
Me K. Dhamon xhiron "Vitet e para" dhe "Gjurmët", me I. Muçajn e K.Mitron "Dimri i fundit", "Tokë e përgjakur", "Një djalë edhe një vajzë" dhe "Apasionata", me Viktor Gjikën, "Gjeneral gramafoni", me E. Musliun, "Rrethi i kujtesës" dhe "Vitet e pritjes" (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, "Dora e ngrohtë", me Dhimitër Anagnostin, "Gurët e shtëpisë sime", me P. Milkanin, "Pranvera s'erdhi vetëm", me S. Kumbaron, "Koncert në vitin 1936", me Gj. Xhuvanian "E diela e fundit" dhe "I dashur armik".
Kinematografi
Në kërkim të kujt (2011), serial
Tingulli i heshtjes - (2010) telenovela
Kronikë provinciale - (2009)
Ne dhe Lenini - (2008)
I dashur armik - (2004)
Mirupafshim - (1997)
E diela e fundit - (1993)
Një djalë edhe një vajzë - (1990),
Vitet e pritjes - (1990)
Kush e solli Doruntinën (1989) teatër-drama, nëna e Kostandinit dhe Doruntinës
Pranvera s'erdhi vetëm - (1988)
Misioni përtej detit - (1988)
Rrethi i kujtesës - (1987)
Fillim i vështirë - (1986), shoqe e Zanës
Gabimi - (1986)
Gurët e shtëpisë sime - (1985)
Militanti - (1984)
Apasionata - (1983)
Dora e ngrohtë - (1983)
Shokët - (1982)
Dita e parë e emërimit - (1981)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.