Gazeta Si – Aktori i humorit Gazmend Paja, i cili është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga radhët e PS është paraqitur në SPAK mëngjesin e kësaj të enjteje.
Me kapele në kokë dhe syze, kjo ishte hera e dytë që Paja paraqitet në SPAK brenda pak ditësh. Pasi qëndroi pak minuta në ambientet e SPAK, aktori doli dhe zbuloi për mediat se prokurorët i kanë sekuestruar celularin.
“Hera e dytë në SPAK, ishe si aktor apo si investitor strategjik?”, e pyetën gazetarët në dalje nga godina. Ai iu përgjigj shkurtimisht në largim e sipër me nota humori: “Jo, isha me prokurorin në kafe, pa dashje mori celularin tim dhe solli të tijn dhe mori timin. Nuk e njoh prokurorin”.
Ende nuk dihet arsyeja konkrete e paraqitjes së tij në SPAK, por dyshohet se lidhet me shpalljen e tij si investitor strategjik nga qeveria për të ndërtuar një resort në Dhërmi.
Gazmend Paja në vitin 2019 mori statusin e investitorit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike, një vendim për të cilin Partia Demokratike kërkoi që të hetohet nga SPAK.
Aktori ka fituar statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort në Dhërmi, vepër që do të realizohej falë bashkëpunimit mes 2 kompanive me vlerë 13.8 milionë euro, por për opozitën pas aktorit qëndrojnë politikanë dhe persona të lidhur me krimin.
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi asokohe vendimin që e shpall Pajën investitor strategjik si abuziv dhe shpërblim politik për lidhjet e aktorit me Partinë Socialiste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


