Shkencë

Aktivitet sizmik anormal, çfarë po ndodh me vullkanet në Itali

Fusha Flegraeane (e njohur edhe në italisht si Campi Flegrei), është një zonë vullkanike aktive e vendosur në afërsi të Napolit në Itali. Por në dallim nga mali i afërt Vezuv, Campi Flegrei nuk ka vetëm një vullkan.

Nën tokë ndodhet një sistem vullkanesh, me disa qendra të vendosura brenda një zone depresive të quajtur caldera (që në italisht do të thotë gropë e thellë). Campi Flegrei, është i rrethuar nga periferi dhe zona me popullsi të dendur afër qytetit të vogël Pozzuoli.

Gjatë 40 viteve të fundit, ka qenë relativisht i qetë. Por në shtatorin e vitit të kaluar, gjëra nisën të ndryshojnë. Në Campi Flegrei, filloi të ndihej një aktivitet sizmik i pazakontë. Që nga ai moment janë regjistruar mbi 1100 tërmete, disa të fuqishëm deri në 4.2 të shkallës Rihter.

Kjo ka sjellë një ndryshim në lartësinë e sipërfaqes së tokës. Është një proces i njohur si “bradiseizëm”. Zona është prekur edhe më parë nga ky fenomen, së fundmi midis viteve 1968-1972, pastaj sërish në vitet 1982-1984. Bradiseizmi, mund të shkaktojë një ngritje ose ulje të sipërfaqes së tokës pasi dhomat e magmës, të ndodhura midis 3 dhe 4 kilometra në thellësi të tokës, mbushen ose zbrazen, në një cikël ngritjeje dhe uljeje.

Është ky proces që shkakton edhe tërmetet, të cilat janë ndjerë nga banorët e zonës. Njerëzit që jetojnë aty nuk janë të shqetësuar, duke e konsideruar atë si “frymëmarrjen e vullkanit” që fle poshtë tyre. Por vullkanologët e kanë studiuar caldera-n, për të parashikuar se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen dhe për të shmangur ndonjë fatkeqësi të mundshme.

Fumarolet, si ajo në Pisciarelli, janë vrima në sipërfaqen e Tokës që lëshojnë avull dhe gazra të nxehtë vullkanikë si dioksidi i squfurit dhe dioksidi i karbonit. Ato mund të shfaqen si vrima ose çarje pranë vullkaneve aktive, ose në zonat ku magma është ngritur në koren e Tokës pa shpërthyer.

Tempulli i Serapis në Pozzuoli (që në fakt nuk ishte tempull, por godinë tregtare) konsiderohet monumenti më i famshëm i zonës Campi Flegrei. Ai është bërë një simbol i bradiseizmit vullkanik në rajon. Për shkak të ngritjes apo uljes së tokës nën të, ajo është ndonjëherë plotësisht e thatë, dhe herë të tjera gjysmë e zhytur nën ujin e detit.

Studimi i bradiseizmit, ka qenë i mundur gjatë shekujve të fundit falë vëzhgimeve, si ato të bëra në rrënojat e kësaj ndërtese të epokës romake. Për shembull, duke studiuar vrimat e hapura në kolonat e lashta nga molusqet detare gjatë shekujve, shkencëtarët mund të studiojnë ndryshimin e niveleve të detit në këtë vend.

E gjithë zona e Campi Felgrei, ka qenë subjekt i monitorimit të vazhdueshëm prej vitesh nga organizata të tilla si Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (IGNV). Nëpërmjet llojeve të ndryshme të analizave sizmike, ato mund të ofrojnë projeksione të aktivitetit të ardhshëm dhe rreziqeve të mundshme për banorët që jetojnë aty pranë.

Për të kuptuar më mirë aktivitetin vullkanik në rajonin Campi Flegrei, vullkanologët nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë po përdorin dronët. Këta janë të pajisura me pajisje monitorimi termike, për të studiuar temperaturat e sipërfaqes rreth vendeve ku ka çlirim të tymrave.

Këto operacione kryhen vetëm gjatë natës. Sepse kjo parandalon që rrezatimi diellor të ndryshojë matjet e temperaturës së sipërfaqes së kores së Tokës. Rreziku që i kanoset banorëve aty pranë nga derdhjet piroklastike vdekjeprurëse nga vullkani është potencialisht shumë i lartë.

Kjo e bën jashtëzakonisht të rëndësishëm monitorimin e situatës. Gjatë krizës së fundit të bradiseizmit në vitin 1983, mbi 30.000 njerwz u detyruan të evakuoheshin nga rajoni Campi Flegrei.

Observatori Vezuvian, është observatori më i vjetër vullkanik në botë. Ai u themelua në vitin 1841 për të vëzhguar aktivitetin vullkanik në zonën e Napolit. Dhe këtu përfshihet zona Campi Felgrei, si dhe vullkanet e Ischia, Stromboli dhe malin Vezuv.

Monta Nuovo, ose Mali i Ri, është një vullkan konik aktiv. Ai gjendet midis gjirit të Napolit dhe qendrës së qytetit Pozzuoli. Është formuar në vitin 1538, dhe është një nga shpërthimet e para vullkanike që u dëshmua dhe u regjistrua nga shumë njerëz.

Gjatë formimit të tij, vullkani e shkatërroi fshatin e lashtë Tripergole, përfshirë banjat termale dhe vilat madhështore të epokës romake. Shkencëtarët besojnë se çdo shpërthim i ardhshëm nga ky rajon, do të sjellë çlirimin e sasive të mëdha piroklastike të dëmshme dhe të paparashikueshme, duke vënë në rrezik jetën e deri në 500.000 banorëve të zonës.

Krateri Solfatara, është një nga 40 vendet vullkanike që përbëjnë sistemin vullkanik Campi Flegrei. Shumica e këtyre vendeve, ndodhen nën ujë në Gjirin e Napolit. Solfatara vetëm 3 kilometra nga qendra e qytetit Pozzuoli.

Dikur ka qenë një destinacion popullor turistik, për shkak të avullit dhe squfurit të lëshuar nga krateri, që përdorej për kura mjekësore që nga koha e Romës së lashtë. Por që nga viti 2019, ajo është mbyllur për vizitorët për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Nga: Science Focus. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë