Futboll

Akti i dytë Tirana-Dinamo, këtë herë në kampionat. Sot në fushë edhe Kukësi

Para ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e Kombëtares, Abissnet Superiore zhvillon edhe javën e tetë, që është shpërndarë në tri ditë. Fillon sot me Skënderbeu-Kukësi dhe derbin Tirana-Dinamo, për t’u mbyllur të hënën me Egnatia-Vllaznia.

Vetëm pas tri ditësh, Tirana dhe Dinamo përplasen sërish në “Air Albania”. Të mërkurën Dinamo fitoi 2-0 për Kupën e Shqipërisë, por sot historia ndryshon. Tirana, që kryeson renditjen me 17 pikë, me siguri do të kërkojë “hakmarrjen”, sepse dy humbje radhazi do të ishin shumë për të.

Nga ndeshja Dinamo-Tirana ne Kupe, 2-0. Gazeta Si, 6 nentor 2021

Të dyja skuadrat vijnë në këtë ndeshje me mungesa, Tirana pa sulmuesin Majkëll Ngo dhe mesfushorin Ardit Toli të skualifikuar, kurse Dinamo ka probleme me dëmtimet. Portieri Harizaj dhe mbrojtësit Sofranak, Haxhiu dhe Maliqi nuk janë të gatshëm për këtë ndeshje. Në stol do të jetë një sfidë mes dy miqsh të vjetër, Orges Shehit dhe Bledi Shkëmbit, të cilët kanë bërë historinë me Skënderbeun.

Në fushë zbret sot edhe Kukësi, ndjekësi më i afërt i Tiranës, me 14 pikë. Skuadra e drejtuar nga italiani Longo ka bërë mirë këto javë dhe në letër është e favorizuar në transfertën e Korçës me Skënderbeun, që mbyll tabelën e klasifikimit me vetëm 3 pikë. Të dielën luhen ndeshjet Kastrioti-Partizani dhe Laçi-Teuta.

Abissnet Superiore, java e 8-të
Sot, ora 16:45
Skënderbeu-Kukësi
Ora 19:45
Tirana-Dinamo
Të dielën
Kastrioti-Partizani
Teuta-Laçi
Të hënën
Egnatia-Vllaznia


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë