Kosova

Aktakuzë kundër tre të pandehurve për krime lufte ndaj popullsisë civile

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të hënën aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë kundër tre të pandehurve me inicialet D.G., Zh.C. dhe Z.SH., nën dyshimet për kryerje të veprës penale, krime lufte kundër popullatës civile në kohën e luftës në Kosovë më 1999.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Prokuroria, D.G, dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar në territorin e Komunës së Gjilanit, në periudhën janar-korrik 1999, nuk ka marrë asnjë veprim për të parandaluar apo për të raportuar për vrasjet, plagosjet dhe djegien për së gjalli të viktimave civile shqiptare, marrjen peng, rrahjet, maltretimet dhe dëbimin e popullatës civile shqiptare në fshatrat Kokaj, Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.

Për të pandehurin ZH.C, ekziston dyshimi se bashkë me një grup që, prokuroria e ka quajtur kriminal, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë, gjithashtu në rajonin e Gjilanit.

“Konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjësh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli”, është thënë në komunikatën e prokurorisë.

Sa i përket të pandehurit ZH.S, ai dyshohet se në cilësinë e mjekut të Spitalit rajonal të Gjilanit, nuk i ka ofruar ndihmë mjekësore viktimës N.R., më 5 prill 1999, për të cilin prokuroria pretendon se ishte plagosur vetëm pse ishte shqiptar.

Prokuroria Speciale ka ngritur një varg aktakuzash tjera në mungesë në ditët e fundit, kryesisht për krime të kryera gjatë luftës në Kosovës.

Gjykimi në mungesë, sipas sistemit të drejtësisë në Kosovë, mund të zhvillohet vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për ta siguruar praninë e të akuzuarit.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Drejtësisë në Kosovë, tha se institucionet e Kosovës, me shumë gjasë, bazuar në ligjet në fuqi, do të lëshojnë fletarrestime të kuqe të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (Interpolit) për personat që janë dënuar në mungesë për krime lufte.

Më 26 dhjetor të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim Çedomir Aksiqin, për akuzën krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera nga janari deri në maj të vitit 1999 në territorin e komunës së Shtimes, përkatësisht në fshatrat Reçak, Malopolc dhe Petrovë.

Ky është vendimi i parë për krime lufte i marrë në mungesë, bazuar në Kodin e ndryshuar të Procedurës Penale të vitit 2022.

REL i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës me pyetjen nëse është kërkuar lëshimi i ndonjë fletarrestimit të kuq për Aksiqin para gjykimit, dhe nëse do ta bëjë tani pas vendimit, por nuk ka marrë përgjigje.

Kosova nuk është anëtare e Interpolit, prandaj fletarrestimet lëshohen me ndërmjetësimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë