Gazeta Si – Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu vijon të kundërshtojë përgjigjet e ekspertëve që kanë përpiluar akt-ekspertimin tekniko-ushtarak për dosjen ‘Gërdeci”, ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona në vitin 2008.
Sipas ish-ministrit, trajtimi i municionit ishte kompetencë ekskluzive e Forcave të Armatosura dhe jo e Ministrit të Mbrojtjes.
“Për çdo vendim të qeverisë ka pasur një urdhër ministri dhe pas çdo urdhri të ministrit një urdhër tjetër ose udhëzim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, kështu funksionon në Ministrinë e Mbrojtjes”, tha Mediu.
Sipas tij, SAC nuk kishte vetëm demontim, por edhe demilitarizim, pra kthimin e tyre në të paefektshëm dhe të parrezikshëm.
“SAC ka kryer demontim, duke mos kthyer demilitarizim, fakt që i është vënë në dukje kompanisë. Nuk ka pasur plotësim detyrimesh nga ato që duhet të plotësojnë FA”, tha Mediu. Ai shtoi më tej se FA e ka pasur detyrë mbikqyrjen.
“Zyrtarë të lartë të FA, sipas dëshmive, e kanë vizituar Gërdecin. Ata nuk kanë zbatuar detyrimet që ka urdhëruar VKM-ja”, nënvizoi ish-ministri.
Gjykata vendosi që seanca e radhës do të mbahet me 7 qershor. SPAK thotë se Mediu shpërdoroi detyrën me nxjerrjen e disa akteve nënligjore që kanë sjell avantazhe për shoqëritë private që do kryenin demontimin. Vetë ish-ministri i ka mohuar të gjitha akuzat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.