Ekonomi

Aksioni policor antiinformalitet jep rezultat, Financat gati regjimin e ri të gjobave

Pak ditë më parë në një restorant në Dajt një kamarier i ri në një siklet të papërshkueshëm i sugjeronte një tavoline të ndryshonte porosinë e ëmbëlsirës.

“Frutat janë të freskëta. Edhe sufleja është shumë e mirë, por edhe frutat janë të shkëlqyera”- u drejtohej kamarieri klientëve.

Klientët, me sa duket adhurues të ëmbëlsirave, duke pyetur nëse sufleja me akullore ishte e freskët, këmbëngulnin të porosisnin produktin që dëshironin.

Mandej, kamarieri bëri si bëri dhe u tregoi të vërtetën.

“Sapo kam filluar punë dhe nuk e di kodin e suflesë me akullore. Di vetëm atë të sallatës së frutave. Ka 10 minuta që na kanë ardhur kontroll nga tatimet dhe do ishte tragjedi nëqoftëse do bëja ndonjë gabim”, iu drejtua kamarieri klientëve teksa në pjesën e brendshme të restoarntit punonjësit tatimorë ishin ulur këmbëkryq me të zotët e lokalit të cilët kishin hapur defterët të shqetësuar.

Ky presion psikologjik që po ndjehet tek biznesi prej disa muajsh megjithatë, ka dhënë rezultatin e kërkuar prej qeverisë.

Këtë të mërkurë, në një konferencë të përbashkët për shtyp Ministrja e Financave Anila Denaj, Drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj dhe ai i doganave Arlind Gjokutaj lexuan tekalimin e planit në të ardhura si pasojë e funksionimit të Planit Operacional Antiinformalitet.

Sipas minstres Denaj, sektori i Tregtisë ka performuar me 31% rritje, Shërbimi 16%, prodhimi 14%, Bar Restorantet 23 % krahasuar me gushtin e viti të kaluar.

Gjatë kësaj periudhe është vënë re një rritje e ndjeshme e deklarimit, e instalimit të pajisjeve fiskale (23 %) . Po ashtu janë regjistruar 8000 punonjës më shumë se gushti i vitit kaluar dhe rezultojnë mbi 1000 biznese të reja.

Ministrja deklaroi gjithahstu se denoncimi në aplikacion ka funksionuar ku janë regjistruar1233 denoncime dhe aplikacioni është shkarkuar sipas saj nga më shumë se 12 mijë qytetarë.

Gjatë kontrolleve 47% e bizneseve të inspektuara janë gjetur në shkelje.

Ministrja Denaj bëri me dije se ka nisur rishikimi i paketës së masave dhe penaliteteve.
“Masat administrative (gjobat) duhet të parandalojnë, nuk janë masa për të krijuar efektin e frikës. Nuk janë kaq parandaluese, specifikisht për administratën tatimnore nuk e realizojnë këtë funskion, nuk janë proporcionale me madhësinë e biznesit, nuk ka harmonizim se si masa administrative vendoset. Nuk jemi gati të themi se si do të vendosen, por do të jenë në harmonizim me madhësinë e biznesit. Në 15 shtatorit do të jetë gati propozimi për Këshillin e Ministrave.”- u shpreh Ministrja Denaj duke nënvizuar se përpara ligjit do të jenë të gjithë të barabartë ; si bizneset ashtu edhe punonjësit e administratës që lejojnë shkeljet. “Procesi po ndiqet. Është krijuar struktura që ndjek procesin në mënyrë javore. “- sqaroi ajo.

Po ashtu edhe drejtuesit e institucioneve kryesore që mbushin arkën e shtetit me të ardhura Brahimaj dhe Gjokutaj deklaruan për gushtin tejkalim të planit të të ardhurave.

“Në tatime – nënvizoi Brahimaj – ka dhënë efekt ndryshimin në paketën fiskale për dividentin dhe të ardhurat personale”.

Kurse tek të ardhurat nga doganat nënvizoi Gjokutaj ka dhënë efekt pozitiv TVSH-ja dhe akcizat. Kjo e fundit ka qenë në fokus të kontrolleve të cilat kanë arritur në 700 deri më tani.

Sipas zyrtarëve të lartë, kontrolli antiinformalitet do të vazhdojë me qëllim elemninimin e ekonomisë gri dhe përdorimin e cashit në ekonomi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë