Gazeta Si – Inspektorët tatimorë prej disa ditësh janë në terren për të sekuestruar çdo produkt bujqësor apo blegtoral që jepet pa faturë duke nisur që nga shishet e qumështit.
Në një reagim të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se brenda 3 ditëve të para janë sekuestruar 20 ton mallra të cilat jepeshin pa faturë në 87 subjekte që janë inspektuar deri më tani.
“Vazhdon me intensitet aksioni për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Rezultatet e 3 ditëve të para tregojnë qartë nevojën për formalizimin e plotë të këtij sektori, si një garanci për cilësinë, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ftojmë të gjithë tatimpaguesit të zbatojnë ligjin duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi te konsumatori”- thuhet në detajet e dhëna nga Tatimet.
Ky operacion synon formalizimin e tregjeve ushqimore dhe luftimin e konkurrencës së pandershme.
Ministrat Petrit Malaj dhe Anila Denaj kanë paralajmëruar inspektime në terren, ndërsa të gjitha produktet pa dokumentacion do të konfiskohen dhe subjektet tregtare në shkelje do të ndëshkohen me gjobë.
Aksioni vjen pas një fushate sensibilizuese dyjavore dhe është pjesë e masave më të gjera të qeverisë për kontrollin e informalitetit në ekonomi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



