Nga Gazeta Si- Deputetja demokratike Jorida Tabaku ka kritikuar aksionin e ndërmarrë prej disa ditësh të prishjes së objekteve pa leje në Theth. Në një reagim në rrjete sociale, deputetja thekson se ndërtimet e konsideruara pa leje janë ngritur në sytë e pushtetit vendor e qendror, por tani banorët përballen me goditje selektive e të njëanshme.
Sipas saj, situata e krijuar është pasojë direkte e “Paketës së Maleve”, që ajo e cilëson si Kali i Trojës i qeverisë për veriun e Shqipërisë.
“Pas kriminalizimit të ndërtimit tashmë e ka radhën kriminalizimi i turizmit. Ajo që po ndodh në Theth me bizneset e turizmit nuk ka as emër dhe as arsye e justifikim tjetër përveçse se Paketa e Maleve”, thotë Tabaku e cila shton se Paketa e Maleve erdhi me një propagandë dhe bujë të jashtëzakonshme. “Në mes të sezonit turistik, pa qenë nevoja t’i shkatërronte sezonin atyre banorëve por edhe veriut të vendit, qeveria është duke ndërmarrë aksion për të prishur ndërtime që janë kohë që janë atje, që janë ndërtuar nën hundën e pushtetit, lokal, të mazhorancës socialiste, të IKMT dhe u kujtuan tashmë në mes të sezonit që duhen prishur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




