Politike

Aksioni opozitar i vjeshtës, Kryemadhi takim me Bashën

Nisja e sezonit të vjeshtës ka vënë në lëvizje edhe opozitën e bashkuar për vijimin e aksionit opozitar.
Paraditen e kësaj të mërkure, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike për të takuar kryedemokratin Lulzim Basha.

Pas përfundimit të takimit, Basha deklaroi se duhet larguar sa më parë qeveria Rama.
Basha ndau një shqetësim me gazetarët, atë që ka të bëjë me dy koncesionet e rrugëve Milot-Balldren dhe Vlorë-Orikum.
Duke i cilësuar si koncesione të hajdutërisë, kryedemokrati akuzoi kryeministrin se po bën ligj për të vjedhur.
“Çështja që ka plasur skandali dy koncesionet e hajdutërisë kërkon vëmendjen maksimale të mundshme. Bëhet fjalë për një aferë të tmerrshme korruptive. Për rrugën Milot-Balldren dhe Vlorë- Orikum. Ka një analizë të plotë të dëmit që i sjell buxhetit. Është rrëzuar dekreti dhe këto dy koncesione do rimiratohen në parlament. Ky nuk heq dorë nga grabitja e vjedhja. Nuk ka plan tjetër as ky njeri dhe kupola e tij përveç vjedhjes. E dyta është se kjo ndërtesa që ndodhet pas selisë sonë që duhet të ishte vendi ku frenohet pushteti është kthyer në një noter të hajdutërisë. Shqiptarët kësaj i thonë vjedhje me ligj. Ligji po bëhet për të vjedhur. Po bëhet që ata që kanë vjedhur të mos shkojnë në burg.
Ai tha se me Edi Ramën kryeministër, vendi nuk mund të ecë përpara, prandaj sipas tij duhet larguar sa më parë kjo qeveri.
“Me Ramën nuk ka dhe as do të ketë as zhvillim, as mirëqenie, as punësim por vetëm vjedhje e grabitje. Sa më shpejt ta largojmë këtë qeveri, këtë kryeministër hajdut aq më mirë do të jetë për njerëzit. Aq më shpejt do t’i kthejmë këto para në investime që hapin vende pune, ndihmojmë të varfrit dhe nxjerrim vendin nga kriza”, deklaroi kryedemokrati.
Ndërsa, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u shpreh për gazetarët se opozita e bashkuar do të vazhdojë aksionin opozitar, pasi shqiptarët nuk e duan më Edi Ramën kryeministër.
“Për LSI aksioni opozitar është i rëndësishëm. Kjo ka të bëjë edhe me 15-vjetorin e LSI. Aksioni do të vazhdojë ashtu siç është, i drejtpërdrejtë dhe për të zgjuar çdo qelizë të shqiptarëve, që janë margjinalizuar. Largimi i Edi Ramës është kusht i shqiptarëve. Zgjedhjet treguan se 85% e shqiptarëve se duan më Ramën. E rëndësishme është se ata bëjnë protestë çdo ditë”, tha Kryemadhi.
Aleatja e Bashës nuk i kursehu as ironitë teksa u pyet për parlamentin, duke shtuar se: “Për kë parlament po flisni? Për këtë parlament të dështuar?!”.

Ndërkohë, ditën e nesërme, kryedemokrati Basha do të takojë në selinë blu aleatët e vegjël opozitarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë