Drejtësia

Aksioni ndaj punonjësve të IMT, policia: U kërkonin para lokaleve që të mos u hiqnin tendat

Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me një operacion të zhvilluar nën drejtimin e SPAK, ku një punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Tiranë u arrestua, dy persona të tjerë u proceduan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Sipas policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi Gerald Fuçia., 33 vjeç, punonjës i IMT në Tiranë si dhe nisi procedimi penal për shtetasit Edmond Çela., 48 vjeç, po punonjës i IMT në Tiranë dhe A. E., 26 vjeç, menaxher i një lokali në Tiranë.

Policia njofton gjithashtu se u shpall në kërkim shtetasi Klajdi Zhilla, 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.

“Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve”, tha policia.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë