Politike

Aksioni pas dënimit me burg të Salianjit, PD bojkoton Komisionin e Ligjeve dhe Sterilizimin. Peleshi udhëzon deputetët e PS: Vijoni punën normalisht

Opozita nuk ka marrë pjesë në Komisionin e Ligjeve që u mblodh këtë të hënë.

Deputetët demokratë nuk morën pjesë edhe në Komisionin e Posaçëm të Sterilizimit dhe Check Up-it.

Opozita e ka nisur sot aksionin pas dënimit me burg të deputetit Ervin Salianji për veprën penale kallëzim i rremë.

“Nesër nuk marrim pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, me përjashtim të Palokës dhe Joridës që me porosi të Kryetarit të Partisë që do të jenë tek integrimi për të shprehur qëndrimin e PD për hapjen e negociatave me BE. Ndërkohë rikujtesë për mbledhjen e Grupit Parlamentar nesër në seli në orën 15:00” shkruhej në njoftimin e një dite më parë që u mbërriti të gjithë deputetëve të PD-së.

Ndërkohë deputetët e Partisë Socialiste do të vijojnë të marrin pjesë rregullisht në komisionet parlamentare, pavarësisht bojkotit të njoftuar nga ana e opozitës, pas dënimit të deputetit Ervin Salianji.

Burime brenda mbledhjes së grupit parlamentar të PS bëjnë të ditur se kreu i grupit, Niko Peleshi, i ka udhëzuar deputetët që pavarësisht aksionit të PD, puna e tyre duhet të vazhdojë si në komisione dhe në Parlament. 

“Ne do ta vazhdojmë jetën parlamentare, është zgjedhja e opozitës nëse do të marrë pjesë apo jo. Deri tani nuk ka qenë e nevojshme për mbledhje online”, tha Peleshi për gazetarët. I pyetur për reagimin e opozitës pas dënimit të Ervin Salianjit, Peleshi tha: “Nuk e kemi kuptuar çfarë do të bëjë opozita, çfarë do të thotë bojkot”.

I vetmi komision në të cilin opozita mori pjesë është ai i integrimit europian, ku morën pjesë vetëm deputetët e PD, Jorida Tabaku dhe Edi Paloka, duke debatuar me socialistët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë