Politike

Aksioni i IKMT, Rama: Do hetojmë pushtimin kriminal të Thethit

Nga Gazeta Si- Në mbledhjen me deputetët dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama ka komentuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, duke u shprehur se në këtë zonë turistike situata është më serioze sesa shihet në pamje të parë.

Rama tha se ndërhyrja nuk është drejtuar ndaj “të shkretëve”, por ndaj personave që, sipas tij, kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme një zonë të mbrojtur për përfitime ekonomike.

“Dua të ndalem një moment te çështja e Thethit për të adresuar disa këndvështrime që, sipas meje, meritojnë të sqarohen. Këtu nuk bëhet fjalë për disa njerëz të shkretë, që kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar. Në shumë prej rasteve, nuk kemi të bëjmë as me banorë të zonës”, tha Rama.

Rama tha se Policia po merret me hetimin e asaj që “është një pushtim kriminal i qendrës së Thethit, që është zemra dhe kartolina e njohur e këtij fshati turistik. Janë ndërtuar objekte që nuk janë për të futur kokën, por për qëllime fitimi”.

Kryeministri foli edhe për të ardhmen e Thethit, duke mohuar se aty do të ndërtohen resorte.

Kryeministri e ka hedhur poshtë kategorikisht këtë teori, duke theksuar se nuk do të lejohen ndërtime apo resorte turistike.

“Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime dhe për të bërë resorte turistike. Është jashtë çdo lloj opsioni”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë