Kosova

Aksionet e Policisë në veri, Sveçla: Partnerët s’na kritikuan, shprehën brenga

Nga Gazeta 'Si'- Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u është përgjigjur kritikave të Departamentit të Shtetit dhe vendeve të QUINT-it, të cilët shprehën indinjatën me aksionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Sveçla, në një prononcim i ka quajtur brenga e jo kritika mospajtimet e partnerëve ndërkombëtarë për veprimet në komunat veriore.

“Nuk ka kritika, ka brenga të cilat kohë pas kohë ata i shfaqin. Ne bashkëpunojmë ngushtë më të gjithë, i kuptojmë brengat e tyre, por po ashtu qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim qoftë ndaj gjeneratave të tanishme, por edhe brezave të ardhshëm që njëherë e përgjithmonë situatën atje ta stabilizojë në të mirë dhe rendit e ligjit”, ka thënë Sveçla.

Kreu i Ministrisë së Brendshme thotë se në atë pjesë janë duke vepruar për rikthimin e qetësisë, rendit dhe ligjit.

“Atje është qetë është situatë e brishtë, por Policia e Kosovës është tregu jashtëzakonisht e zonja që të menaxhojë dhe të ballafaqohet me të gjitha sfidat”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka lavdëruar organet e rendit për menaxhimin e situatës në komunat veriore.

“Me përvojën e fituar me kapacitete të angazhuara mbi të gjitha me vullnetin e pashoq të secilit pjesëtarë të Policisë së Kosovës, cilado sfidë e ardhshme do të menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Policia atje është duke siguruar rend dhe ligj për t’u shërbyer qytetarëve”, ka thënë ministri Sveçla.

Kritikat e faktorit ndërkombëtar erdhën pas një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku u mbyllën disa filiale të bankës së Serbisë që operonte në katër komunat e asaj pjese.

Sveçla këtë aksion e vlerësoi si të duhur për largimin e mekanizmave të Serbisë nga Kosova.

Në këtë aksion të policisë së Kosovës ishin konfiskuar rreth 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga e mbi 13 mijë dollarë amerikanë, si prova materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë