Ngjarje

Aksion për lirimin e hapësirave edhe në Valbonë, banorët të zhgënjyer: I ngritëm për një copë bukë

Gazeta Si – Pas aksionit në Theth, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar mëngjesin e kësaj të shtune në shembjen e ndërtimeve pa leje të strukturave të drurit dhe të betonit në Parkun Kombëtar të Valbonës.

Mësohet se aksioni ka nisur prej tre ditësh me ndërtesa pa leje të rrafshuara nga IKMT. Në total, janë planifikuar për t’u prishur 22 objekte.

Deri tani, IKMT ka prishur 3 objekte, ndërsa 16 të tjera janë në proces çmontimi nga vetë banorët. 3 objekte të tjera mbeten ende për t’u shembur.

Edhe banorët në zonën e Valbonës kanë pretenduar se ndërtimet i kanë bërë gjatë fushatës zgjedhore me dijeni të përgjegjësve të zonës.

Një pjesë e tyre shprehen të pakënaqur, duke thënë se këto ndërtime janë investime të tyre dhe burimi kryesor i të ardhurave nga turizmi. Ata gjithashtu shprehin zhgënjimin e madh për shkak të investimit të çuar dëm.

Për mediat një çift të moshuarish shprehu trishtimin për objektin që u ishte shembur, duke thënë se qëllimi i tyre ishte të vetëpunësoheshin duke u shërbyer turistëve.

“Krejt lagështirë për të ngrënë një copë bukë, se nuk e kishim bërë për asgjë tjetër. Tre fëmijët kanë qajt aty, se për një copë bukë e ngritëm jo për gjë tjetër. Sivjet e bëmë, shihe ku jemi tani”, – u shpreh e moshuara.

“Shqiptar jemi, jo serbë. A e rrëzove, po lëre ashtu? Nuk ka bërë vaki ndonjëherë kjo punë. Ishalla jena shëndoshë”, – tha bashkëshorti i saj.

Duke qenë se aksioni nisi në kulmin e sezonit turistik, pati kritika ndaj kryeministrit Edi Rama për shkakun se qytetarët e konsdieronin të papranueshme që një veprim i tillë të bëhej aq vrullshëm menjëherë pas zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë