Gazeta Si – Gjatë një aksioni në orët e para të mëngjesit në Fushë Kuqe të Kurbinit, Forcat Operacionale kanë arrestuar, dy persona të shpallur në kërkim, Fred Xhixhan dhe Elvin Merlikën.
Sipas burimeve, të dy dyshohen si pjesëmarrës në planin për eliminimin e Indrit Dokles sipas porosisë së Ervis Martinajt, biznesmenit të zhdukur prej 2022. Të arrestuarit ishin shpallur në kërkim me urdhër të SPAK.
Përmes një njoftimi për mediat, policia tha se dy të kërkuarit u kapën të armatosur me “dy armë zjarri pistoleta, dy armë gjahu, dy radio si ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak”.

Ndërkohë në Dobraç kontrollet u kryen për të goditur aktivitetin kriminal të grupit të njohur si “Fisi Bajri”, por nuk ka ende arrestime. Dy aksionet e koordinuara nuk kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me njëri-tjetrin.
“Gjatë operacionit me shkallë të lartë rrezikshmërie, në një terren të vështirë në zonën e Fushë-Kuqes pranë lumit, në një banesë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e dy shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, konkretisht: A. Xh., 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe E. M., 47 vjeç, banues në Mamurras, të shpallur në kërkim, pasi GJKKO ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprat penale: ‘Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal’; ‘Grup i strukturuar kriminal’; ‘Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale’”, – njofton policia.
Sipas burimeve, të dy personat e arrestuar mendohet se janë të lidhur me të zhdukurin prej tre vitesh, Ervis Martinajn.
Merlika dyshohet si pjesë e grupit kriminal që planifikoi vrasjen e Indrit Dokles. Ndërsa personi i dytë, Xhixha, banues në Fushë-Krujë, njihet si ai që organizoi takimin mes Martinajt dhe të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumanit.

Ai është vëllai i personit të arrestuar për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje e ndodhur në mars të 2020-ës.
I konsideruar si një ndër njerëzit më të shumëkërkuar në vend, Ervis Martinaj u denoncua i zhdukur nga familjarët në gusht të vitit 2022. Fati i tij mbetet ende i panjohur.
Ndaj Martinajt ka dy urdhërarreste nga SPAK, ndërsa përgjatë viteve, ka patur kontrolle të shumta nga policia në disa banesa në zonën e Shijakut, Durrësit e Vlorës.
Në përditësim…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



