Ka ndodhur

Aksion kundër lojërave të fatit në Tiranë, 5 të arrestuar, sekuestrohen para e kanabis

Një aksion i ndërmarrë nga policia kundër lojëra të fatit në Tiranë, ka çuar në pranga 5 persona, ndërsa janë vënë nën hetim 2 të tjerë.

Në vijim të operacionit policor “Fati i lojërave” janë goditur 6 raste të reja të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Policia raporton se janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, 11 njësi kompjuterike, lëndë narkotike kanabis dhe 10 aparate celularë.

Mësohet se është bërrë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. K, 36 vjeç dhe J. M, 23 vjeç, pasi në rrugën “Xhanfizo Keko” në lokalin në administrim të shtetasit F. K, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin J. M, duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis, shuma prej 99.600 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme) dhe sende të tjera të kundraligjshme.

U arrestua shtetasi B. H, 30 vjeç dhe u shpall në kërkim M. N, 29 vjeç(qeramarrësi i lokalit), pasi në rrugën “Nikolla Tupe” në lokalin në përdorim nga shtetasi B. H, dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojrave të fatit, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të hapur derën. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit u gjetën e sekuestruan 11 njësi kompjuterike, 6 aparate celular, 4 tavolina pokeri, 3 valixhe me fisha (çipsa) dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Gjithashtu u arrestua shtetasi E. B, 26 vjeç, pasi në rrugën “Muhedin Llagami” në lokal, ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Në brendësi të lokalit në një tavolinë të përshtatur për lojëra me çipsa, u konstatuan disa klient.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë bënë arrestimin e shtetasit U. S, 40 vjeç, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular dhe një shumë parash (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme).

U proceduan në gjendje të lirë shtetasit L. G, 46 vjeç dhe L. B, 27 vjeç, pasi në lokalit e tyre përkatëse, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë