Ngjarje

Aksion i UKT në zonën e Dajtit, Kacidhja: Premë lidhje të paligjshme në burim, gjoba e padi penale disa subjekteve

Gazeta Si- Në këto ditë të nxehta vere me temperatura të larta, furnizimi me ujë të pijshëm mbetet një nga problemet kryesore në Tiranë. Për të rritur sigurinë e furnizimit me ujë, Ujësjellës-Kanalizimet kanë nisur dje (e martë) aksionin për prerjen e lidhjeve të paligjshme.

Drejtori i UKT Elton Kacidhja në një prononcim për Gazetasi.al tha se aksioni i Task Forcës së UKT nisi në zonën e Dajtit ku u identifikuan lidhje të paligjshme në burim.

“Sot nisëm aksionin për prerjen e lidhjeve të paligjshme në zonën e Dajtit ku konstatuam se subjekte biznesi që furnizojnë në mënyrë ilegale me autobote zona të Tiranës, kishin vendosur tuba për furnizimin me ujë direkt nga burimi. Në bashkëpunim dhe me policinë, morë masa administrative, gjoba dhe deri kallëzime penale”, tha Kacidhja.

Gjatë aksionit, forcat e ‘Task Force’ morën masa për prerjen e tubave të paligjshëm si dhe bllokimin e autoboteve që furnizojnë me pagesë banorët në zona të ndryshme të Tiranës.

Sipas Kacidhes, asnjë prej subjekteve që përdornin në mënyrë ilegale burimet e ujit nuk kishte autorizim për kryerjen e këtij biznesi.

Punonjës të UKT dhe policisë bashkiake gjatë kontrollit për lidhje të paligjshme. Gazeta SI, 29 qershor, 2022.

“Lidhjet e paligjshme në burimet pranë depove të ujit që furnizojnë zona të ndryshme të Tiranës cenojnë direkt furnizimin me ujë të kryeqytetit. Ne kemi marrë masa që në këto ditë të nxehta dhe thatësire të kursejmë sa më shumë burimet tona të ujit dhe të respektojmë oraret e caktuara të furnizimit me ujë në Tiranë”, tha drejtori i UKT Elton Kacidhja.

Kacidhja shton se aksioni do të vazhdojë dhe në zona të tjera të kryeqytetit ku ka të dhëna për shpërdorim të ujit apo lidhje të paligjshme në rrjet nga lavazhet apo pishinat.

Nga një vëzhgim yni në rrugët e kryeqytetit, shumë biznese shpërdorojnë ujin e pijshëm duke larë trotuaret dhe hapësirat pranë bizneseve të tyre. Butikët apo baret e restorantet, si pasojë dhe e temperaturave të larta, gjatë ditës hapin rubinetat e ujit për të pastruar e freskuar hapësirat jashtë, kur në zona të ndryshme të Tiranës mungon uji i pijshëm.

“Edhe për këto raste do të merren masa megjithëse ata mendojnë se janë të lirë ta menaxhojnë ujin në rubinetat e tyre sepse e paguajnë. Duhet të kontribuojmë të gjithë për të kursyer ujin sepse thatësira do të na shoqërojë gjatë në dy muajt e ardhshëm të verës”, tha Kacidhja.

Situata e krijuar nga vala e të nxehtit që ka pushtuar Europën ka detyruar vendin fqinj Italinë që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në provincat e Parmës dhe Piaçencës.

Thatësira në Itali ka prekur kryesisht pellgun ujor dhe Alpet perëndimore, si edhe liqenin e Bracciano-s në Lazio dhe Sardenjën.

Ndërkohë bashkia e Romës ka lëshuar një urdhëresë e cila kufizon përdorimin e ujit për të ujitur kopshte e bahçe, mbushjen e pishinave dhe larjen e automjeteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë