Gazeta Si – Rreth 4.200 bimë kanabis janë asgjësuar në një operacion masiv që po zhvillohet prej 48 orësh në Shkodër.
Në njësitë administrative Pult dhe Shalë, të bashkisë Shkodër, po vijon operacioni në të cilin janë përfshirë 250 forca policore, të cilat po përdorin 4 dronë, dylbi dhe disa GPS, për të gjetur koordinatat e regjistruara nga monitorimi ajror i GDF-së dhe nga dronët e Policisë që ka në dispozicion DVP Shkodër.
Policia thotë se u asgjësuan rreth 4200 bimë kanabis që ishin kultivuar në zona të pyllëzuara dhe në sipërfaqe të vogla me nga 15 deri në 20 bimë.
Gjatë operacionit janë kontrolluar 85 koordinata të evidentuara nga monitorimi ajror i GDF-së dhe kontrolli me dronët e Policisë së Shkodrës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë orëve të fundit, operacione masive janë zhvilluar në Krujë dhe në Mirditë, ku si rezultat janë vënë në pranga 4 shtetas, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




