Ka ndodhur

Aksidentoi për vdekje drejtuesin e motoçikletës, arrestohet shoferja 39-vjeçare

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga shoferen 39-vjecare, e cila ditën e djeshme aksidentoi për vdekje një 59-vjeçar, i cili po udhëtonte me motocikletë.

“Në përfundim të veprimeve hetimore për aksidentin e ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor Belsh-Kuçovë, në fshatin Dëshiran, si pasojë e të cilit ndërroi jetë drejtuesi i motoçikletës, shtetasi S. B., 59 vjeç, banues në fshatin Dëshiran dhe u dëmtua shtetasja Z. Z., 42 vjeçe që udhëtonte në motoçikletë me këtë shtetas, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën, specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit’, shtetasen A. Gj., 39 vjeçe, banuese në Elbasan”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, është arrestuar dhe një 34-vjeçar, pasi dyshohet se tentoi të vidhte një banesë në fshatin Grekan. Në afërsi të banesës u gjet i braktisur mjeti tip “Benz” me targa të vjedhura në fshatin Kosovë e Vogël, Lushnjë, brenda të cilit mjetit u gjetën edhe targat origjinale. Aty u gjetën edhe disa vegla pune me një kapuç të zi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Po ashtu, policia e Elbasanit thotë se ka arrestuar edhe dy të rinj të moshës 29 dhe 33 vjeç. Ata u ndaluan për kontroll dhe u konstatua se shoferi po drejtonte mjetin në gjendje të dehur, ndërsa pasagjerit iu gjet sasi e vogël e dyshuar lëndë narkotike kanabis.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë