Gazeta Si - GJKKO ka shpallur të pavlefshme vendimet e Gjykatës së Elbasanit për hetimin ndaj deputetit të PD-së, Qani Xhafa.
Gjykata e Elbasanit kishte shpallur moskompetencën dhe dërgoi për hetim nga Prokuroria e Posaçme dosjen ndaj ligjvënësit demokrat, i cili në vitin 2023, kur ishte kandidat për deputet u përfshi në një aksident rrugor.
Por, Gjykata e Posaçme e ka konstatuar si të pavlefshme vendimin e Gjykatës së Elbasanit duke ia rikthyer dosjen për vendimmarrje.
“Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin Nr. 35 datë 10.06.2024, vendosi: Kthimin e akteve që i përkasin procedimit penal nr. 299 datë 11.03.2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga nenet 291/ 1 të K.Penal, Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të vazhduar hetimet si prokuroria që ka kompetencën lëndore”, thuhet në vendim.
Xhafa nuk fitoi direkt të drejtën për t'u zgjedhur si deputet, por pasi Luçiano Boçi la mandatin për të garuar për kryetar Bashkie i Elbasanit, automatikisht u fut në Parlament.
Njoftimi i SPAK
1.Në datën 24.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar çështjen penale me Nr. 81 Regj. Them. në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga neni 291/1 i K.Penale. Kjo çështje penale është regjistruar mbi bazën e vendimit 291 dt. 20.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan me anë të së cilit ndër të tjera është vendosur: 1. Shpalljen e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga neni 291/1 i K.Penale. 2. Dërgimin e çështjes gjykatës kompetente, Gjykatës Së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 3. Kundër Këtij vendimi lejohet ankim sëbashku me vendimin përfundimtar”.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin Nr. 35 datë 10.06.2024, vendosi:
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit datë 31.05.2023 “Për njoftimin e akuzës” i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit datë 31.05.2023 “Për përfundimin e hetimeve” i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan datë 25.05.2023 me objekt: “Dërgimin për gjykim të procedimit penal 299 datë 11.03.2023 në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga neni 291 /1 i K.Penal”.
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit datë 20.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vendimi i gjyqtarit të seancës paraprake.
Kthimin e akteve që i përkasin procedimit penal nr. 299 datë 11.03.2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” e parashikuar nga nenet 291/ 1 të K.Penal, Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të vazhduar hetimet si prokuroria që ka kompetencën lëndore.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.