Drejtësia

Aksidenti tragjik te ‘Kodra e Diellit’, 29-vjeçarja nuk pranon se po përdorte celularin

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg Elinta Garon për 30 ditë deri në kryerjen e ekspertizës auto-teknike të automjetit që ajo drejtonte.

29-vjeçarja është përlotur në sallë dhe nuk ka pranuar se ka qenë duke përdorur celularin në momentin e aksidentit që i mori jetën 60-vjeçarit Begzan Hyseni.

Aksidenti ndodhi të hënën datë 15 gusht në zonën pranë “Kodrës së Diellit”, ku si pasojë e humbjes së kontrollit, e reja përplasi 4 persona, çiftin Begzan dhe Valentina Hyseni, 27-vjeçaren Alkuna Telaj, dhe një fëmijë.

Nga humbja e kontrollit të mjetit, e reja ka përplasur edhe një 2-vjeçar me inciale R.M., që ndodhej në karrocë teksa shoqërohej nga nëna e tij.

Fëmija ka marrë dëmtime të lehta në ballë. Nëna e të miturit, me iniciale G.M., ka treguar se sapo pa që mjeti ka përplasur disa persona është munduar të shmangej dhe fëmija u lëndua.

Valentina Hysi që mbeti e lënduar, në dëshminë e saj ka thënë se mban mend vetëm që mjeti erdhi në drejtim të tyre dhe i përplasi në rrugën “Muharem Butka”.

Fatkeqësisht, 60-vjeçari nuk i mbijetoi dot plagëve të marra dhe humbi jetën në Spitalin e Traumës, ndërkohë të aksidentuarit e tjerë kanë lënë spitalin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë