Policia e Shtetit e ka cilësuar si një rast tragjik aksidentin e rëndë që ndodhi këtë të premte në aksin Fier-Vlorë, ku u shua një familje me 4 anëtarë.
Në një deklaratë për shtyp, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Albert Dervishaj, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e anëtarëve të familjes Gushi. Ai ka theksuar se hetimet për këtë rast do të shkojnë deri në fund për të zbardhur atë që ka ndodhur.
“Dua të siguroj gjithë familjarët dhe të afërmit, si dhe opinionin publik, se aksidenti i sotëm po hetohet me kujdesin maksimal për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë në këtë rast tragjik. Dua të theksoj, se angazhimi ynë maksimal në terren ka nevojë për mbështetje, për mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve”.
Dervishaj shtoi se aksidentet rrugore marrin 4 herë më shumë jetë sesa ngjarjet kriminale. “Aksidentet rrugore sot marrin katër herë më shumë jetë se ngjarjet kriminale në vend dhe besoj kjo është mjaftueshëm për këdo të kuptojë se sa e rëndësishme është sjellja e kujtdo në rrugë”.
Gjithashtu Dervishaj ka kërkuar ndihmën e drejtuesve të makinave që të bëjnë kujdes dhe të mbrojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve gjatë lëvizjes në rrugë.
“Policia do vijojë të thellojë masat. Policia apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve, të tregojnë kujdes të shtuar e të respektojnë rregullat. Shpejtësia vret, parakalimi vret, mbajtja e rripit të sigurimit shpëton jetë", - tha ai mes të tjerash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.