Një ditë pas aksidentit tragjik në rrugën e Kombit, policia ka arrestuar në spital drejtuesin e mjetit tip “Benz” që u përplas me “Opel”-in ku udhëtonte familja Prenga dhe humbi jetën djali 3 vjeç dhe babai i tij 32 vjeç.
Këtë të martë, policia mësohet se arrestoi Arlind Mihajn, drejtuesin e makinës që u përfshi na aksident, pasi dyshohet se përmes parakalimit të gabuar ka shkaktuar dhe përplasjen fatale për familjen Prenga. Por do të jetë ekspertiza auto-teknike, e cila do të përcaktojë shkaqet e sakta të aksidentit.
Arlind Mihaj ndodhet në spital, pasi makina e tij përfundoi në flakë dhe përveç plagëve nga përplasja mësohet se ka pësuar edhe djegie.
Ngjarja u regjistrua pasditen e të hënës rreth orës 16:30, në afërsi të Milotit. I mituri me iniciale O.P., ishte në sediljen e pasme të makinës tip “Opel” bashkë me dy prindërit, ku u përplasën me makinën tip ‘Benz’, e cila shpërtheu menjëherë në flakë.
Ndërsa makina ku udhëtonin tre anëtarët e familjes Prenga nga fshati Rrilë i Lezhës, është përplasur me tej me barrierat mbrojtëse të rrugës, duke përfunduar në grumbull hekurishtesh.
I mituri ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa disa minuta pas të birit, humbi jetën edhe i ati, Sh.P., pasi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Nga aksidenti u plagos dhe nëna e fëmijës dhe bashkëshortja e 32-vjeçarit, F.B.,e cila ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




