Ngjarje

Aksidentet fatale dhe moti i keq, Policia Rrugore apel qytetarëve: Jeta nuk ka kthim!

Nga Gazeta ‘SI’ – Policia Rrugore ka intensifikuar masat e kontrollit në të gjithë vendin, për shkak të motit të keq dhe shkeljeve të shumta të rregullave të qarkullimit rrugor, të evidentuara gjatë dy ditëve të para të Vitit të Ri 2026, disa prej të cilave me pasoja fatale.

Sipas njoftimit zyrtar, reshjet e dëborës në zonat malore, temperaturat e ulëta që favorizojnë ngricat dhe prania e akullit në rrugë kanë rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente.

Në këto kushte, shërbimet e Policisë Rrugore kanë shtuar prezencën në akset kryesore dhe dytësore, duke angazhuar të gjitha mjetet logjistike në dispozicion.

Gjatë kontrolleve, përmes mjeteve inteligjente të matjes së shpejtësisë, përfshirë poliskanin, si dhe testimeve me alkooltest, janë konstatuar dhjetëra shkelje të rënda.

Policia bën me dije se, në segmente rrugore ku shpejtësia e lejuar është 80 apo 90 km/h, janë regjistruar raste ekstreme me shpejtësi nga 171 km/h deri në 216 km/h, në kushte atmosferike të papërshtatshme dhe me fushëpamje të kufizuar për shkak të errësirës.

Drejtuesit e automjeteve të kapur në shkelje janë ndaluar dhe ndëshkuar sipas legjislacionit në fuqi, pasi veprimet e tyre përbëjnë rrezik serioz për jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Policia Rrugore u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, ta përshtatin atë me kushtet e rrugës dhe të motit, si dhe të mos drejtojnë automjete nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

“Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor. Jeta nuk ka kthim”, thekson Policia në apelin e saj drejtuar qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë