Treg

Aksidentet e shumta gjatë 2021-shit rritën të ardhurat e kompanive të sigurimit

Aksidentet e shumta gjatë periudhës janar-korrik 2021 kanë dhënë efekt pozitiv në kompanitë e sigurimit. AMF raporton se gjatë së njëjtës  periudhë, sigurimet motorike kapën vlerën e 23 mln dollarëve, rritje me 44.5% nga e njëjta kohë e vitit 2020.

Rritja mund të jetë e ndikuar dhe nga lëvizja e palimituar gjatë 2021-shit, ndryshe nga viti i shkuar, kur përreth dy muaj nuk mund të lëvizte asnjë mjet motorik në rrugë.

Ecuri pozitive duket se ka shënuar vetëm segmenti i sigurimeve motorike, duke parë se totali i dëmeve të paguara nga kompanitë është në rënie krahasuar me një vit më parë. AMF raporton se pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-korrik 2021 u ulën me 6.99% krahasuar me periudhën janar-korrik 2020. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 56.21% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Në total, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-korrik 2021 kapën vlerën 10,9 miliardë lekë, ose 18.62% më shumë se në periudhën janar-korrik 2020. Gjatë periudhës janar-korrik 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 601,474 me një rritje prej 14.71% krahasuar me periudhën janar-korrik 2020.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.54 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.25%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.99% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.01% të totalit të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë