Ngjarje

Përgjaken rrugët e vendit nga aksidentet, 6 viktima dhe 6 të plagosur

Gazeta Si – Gjashtë viktima dhe 6 të plagosur është bilanci i rëndë i aksidenteve rrugore në vend, gjatë kësaj të mërkure, 23 korrik 2025 në disa ngjarje të ndodhura në zona të ndryshme të vendit.

Aksidenti i fundit ndodhi në orët e vona të mbrëmjes në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, pranë fshatit Fishtë. Një automjet, që udhëtonte në drejtim të Shkodrës, u përplas me një trailer me targa serbe dhe më pas përfundoi jashtë rruge, në një kanal anësor.

Si pasojë e aksidentit humbi jetën në vendngjarje një grua 60-vjeçare, ndërsa bashkëshorti i saj ndërroi jetë në spital. Katër persona të tjerë mbetën të plagosur, të gjithë anëtarë të një familjeje, mes tyre dhe një 6-vjeçar, nipi i viktimave.

Në mjet me 6 vjeçarin udhëtonin prindërit e tij dhe gjyshërit. Të gjithë të plagosurit u transportuan drejt Spitali të Traumës të Tiranës.

Kanë qenë banorët e zonës dhe policia të cilët kanë bërë të mundur të nxjerrin të plagosurit nga kanali dhe janë dërguar me urgjencë në spital.

Më herët, aksidenti tragjik i radhës u shënua në orët e pasdites në zonën e Qerekës, në Krujë, ku babai përplasi aksidentalisht me makinë të bijën e mitur, e cila ndërroi jetë në spital. Ngjarja ndodhi në ambientet e biznesit të shtetasit A.S., i cili përplasi të bijën rreth 4 vjeçe.

Më herët, gjatë pasdites, një tjetër ngjarje tragjike u regjistrua në Bulqizë, duke u marrë jetën dy personave dhe plagosur një tjetër.

Të tre personat po ktheheshin nga puna në minierë, me një mjet tip “Nissan”, që ka dalë nga rruga, duke përfunduar 300 metra poshtë, e për pasojë u ka marrë jetën dy prej personave, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje të rëndë te Spitali i Traumës, në kryeqytet.

Një tjetër aksident me të vdekur ndodhi po në orët e pasdites, në fshatin Hotesh të Dibrës. Një grua u përplas aksidentalisht para shtëpisë së saj, teksa gjatë manovrave, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe bëri që makina të rrëshqasë jashtë oborrit. Pavarësisht përpjekjeve për ndihmë, gruaja ndërroi jetë nga dëmtimet e rënda.

Po ashtu, rreth orës 15:00, një aksident ndodhi në Dimal, në zonën e quajtur Parku i Qytetit, ku nga përplasja e dy makinave, mbetën të plagosur dy fëmijë që udhëtonin në njërin prej mjeteve. Fëmijët 8 dhe 12 vjeç morën lëndime nga përplasja dhe u dërguan në Spitalin e Beratit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë