Një i mitur 3 vjeç dhe babai i tij, të cilët po udhëtonin me makinë familjarisht, kanë humbur jetën në një aksident tragjik në rrugën Milot-Rrëshen pas përplasjes me një mjet tjetër.
Fëmija ka ndërruar jetë në vend, ndërsa babai i tij, i cili kishte pësuar plagë të rënda në trup, humbi jetën në Spitalin Lezhës, pasi ishte transportuar me urgjencë.
Ndërkohë, bashkëshortja e këtij të fundit dhe nëna e fëmijës, e cila ndodhej në automjet, është në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Familja po udhëtonte në një mjet tip “Opel” dhe në aksin Milot-Rrëshen, janë përplasur me një “Benz”, drejtuesi i të cilit ka marrë dëmtime dhe është transportuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet në gjendje të rëndë. Policia thotë se mjeti i tij i përfshirë nga flakët, është djegur plotësisht.
Drejtuesi i “Opel”-it që ndërroi jetë në spital, dyshohet se u fut në një parakalim të gabuar dhe si pasojë e shpejtësisë dhe lagështirës në rrugë, humbi kontrollin e mjetit.
Në njërën prej dy makinave që u përfshi në aksident, si pasojë e dëmtimeve, u bllokua dera e pasagjerit. Personat që ishin në vendin e ngjarjes ndërhynë me shpejtësi, duke nxjerrë një nga të lënduarit. Policia ka nisur punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit tragjik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




