Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Levan-Fier, me pasojë vdekjen e dy personave.
Një makinë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal dhe për pasojë kanë ndërruar jetë çifti i bashkëshortëve, Nue dhe Pashkë Preçi, 62 dhe 61 vjeç.
“Sot rreth orës 07:20, në vendin e quajtur ‘Kthesa e Qarrit’, automjeti tip ‘Toyota’ ka rënë në kanalin me ujë anës rrugës.
Si pasojë kanë ndërruar jetë dy shtetas (një mashkull dhe një femër) ende të paidentifikuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Dyshohet se viktimat humbën jetën si pasojë e mbytjes.
Njëri nga dëshmitarët ka thënë se kishte parë dy të aksidentuarit që tentonin të dilnin nga xhami i pasmë i makinës, por fatkeqësisht nuk mundën dhe humbën jetën.
Dëshmitari: Donin të dilnin nga xhami i pasmë i makinës, por u mbytën të dy
Automjeti u nxor nga kanali i ujit me ndihmën e një zetori. Drejtuesi i zetorit, që tërhoqi makinën tip Toyota, ka treguar detaje të kësaj ngjarje të rëndë.
“Aksidentin nuk e pashë. Mua më mori në telefon njëri B.H. këtu, hajde me zetor tha, se është mbytur një makinë tha. Vij brenda 10 minutash këtu te vendi i ngjarjes. Pasi vij, takoj një Haki, nuk e di mbiemrin. Ku është makina? Ka rënë brenda në ujë. Po personat ku janë? Janë brenda, tha ai. Marr papagallin e zetorit, e godas xhamin e pasmë edhe i vë litarin makinës, e nxjerrim lart pastaj. Personat ishin mbytur. Në momentin që ky Hakiu. ishte këtu, po shikonte që donin të dilnin nga xhami i pasmë, po i binin xhamit tha ai. I thashë pse nuk more një gurë që ta thyeje që të dilnin? Viktimat mund të kenë ngatërruar rrugën, janë kthyer tek kjo rrugë”, thotë drejtuesi i zetorit.
Policia po punon për zbardhjen e këtij aksidenti të rëndë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




