Gazeta Si – Një aksident automobilistik, me një të vdekur dhe një plagosur ndodhi rreth orës 15:00 të kësaj të hëne në autostradën Levan-Vlorë, në drejtimin e mbërritjes për në qytetin bregdetar.
Sipas burimeve, në këtë aksident janë përfshirë dy mjete, njëra prej të cilave kamionçinë, e cila ka përfunduar në pjesën anësore të rrugës.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i kamionçinës ka humbur jetën në vend, ndërsa pasagjeri që udhëtonte me të është në gjendje të rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Vlorës.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për nxjerrjen e trupit të pajetë nga automjeti, pasi kabina e kamionçinës është dëmtuar rëndë dhe personi i mbetur brenda nuk mund të nxirret lehtësisht.
Nga verifikimet në terren të kryera nga Policia Rrugore, dyshohet se automjeti tip “Dacia” me targa AA 408 XY, në të cilin udhëtonin dy gra të huaja, ishte shkaktari i aksidentit.
Drejtuesja e automjetit, dyshohet se ka goditur nga pas kamionçinën, duke shkaktuar spostimin e kësaj të fundit, e cila është përplasur me barrierën ndarëse të autostradës.
Policia ka shoqëruar drejtuesen e automjetit dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ky është aksidenti tragjik i radhës pas vdekjes së dy motrave javën e shkuar në Delvinë dhe përplasjes së makinës së dy të rinjve me shkallët e një banese të dielën, ku humbën jetën dy të rinj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



