Gazeta Si – Reshjet e shiut ka sjellë dhe aksidente nëpër akset rrugore të Shqipërisë. Vetëm brenda pak orësh janë shënuar 6 aksidente, që për fat të mirë kanë përfunduar pa viktima, por me të plagosur.
Në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër u plagosën dy persona, pasi një makinë tip “Dacia” është përplasur me automjetin tip “Seat” me drejtuesin shtetasin me iniciale H.S.
Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Dacia”, shtetasi K. Ç. dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin tip “Seat”, 19-vjeçari me inciale Xh. G. Të lënduarit u transportuan në spitalin Rajonal Gjirokastër, për të marrë ndihmën mjekësore.

Elbasan
Dy aksidente të njëpasnjëshme janë shënuar po ashtu edhe në aksin Elbasan-Librazhd, pranë kthesave të “Murrashit”.
Burime bëjnë me dije se shkak për aksidentin janë bërë reshjet e dendura të shiut, por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz.

Kukës
Në segmentin Kukës-Morinë në “Rrugën e Kombit”, një betoniere është përmbysur. Drejtuesi i mjetit, shtetas nga Kosova ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Kukësit.
Si pasojë ka rrjedhur vaji dhe nafta në rrugë duke u bërë shkak aksidenti edhe për automjetet e tjera të cilat po rrëshqasin.
Shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë lagështia në rrugë për shkak të reshjeve të shiut.

Fier
Një aksident ka ndodhur në aksin Fier- Mallakastër, në fshatin Lalar. Mësohet se dy automjete, të dyja të tipit Mercedes-benz janë përplasur kokë më kokë me njëra tjetrën.
Deri tani nuk raportohet për viktima, ndërsa ppolicia thotë se janë plagosur 3 persona.
Pranë vendit të ngjarjes kanë mbërritur mjekë të urgjencës të spitalit Fier si dhe uniformat blu.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve dhe pasagjeri, shtetasi L. S., 65 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin mund të ketë qenë lagështia më rrugë për shkak edhe të reshjeve.
Shkodër
Në orën 11:40 u njoftua për një aksident në afërsi të tregut të Shelqit pjesë e rrugës Shkodër-Vau Dejës ku janë përplasur tre mjete dhe 3 persona janë plagosur.
Mësohet se njëri prej tyre ndodhet në gjëndje të rëndë për jetën. Policia dhe ambulanca ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po nisin hetimet.
Korçë
Një aksident me dy të lënduar është regjistruar në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës ku një mjet ka dalë nga rruga.
Shkak dyshohet lagështira për shkak të reshjeve të shiut. Mësohet se të lënduar lehtë kanë mbetur 2 persona që ndodheshin në mjet, jashtë rrezikut për jetën.

Devoll
Mbrëmjen e djeshme, një makinë tip “Benz” ka shtypur 30 dele. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Vranisht të Devollit dhe delet ishin në pronësi të një banori të Vranishtit.
Zjarrfikësja ka mbërritur menjëherë dhe ka bërë të mundur pastrimin e vendit të ngjarjes. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




