Ka ndodhur

Tre aksidente tragjike në Lushnjë dhe Fushë Krujë, mes viktimave dhe një 20-vjeçar

Gazeta Si – Tre aksidente tragjike të ndryshme janë regjistruar brenda pak orësh në Lushnjë dhe Fushë Krujë, ku humbën jetën një burrë, një grua dhe një i ri 20 vjeç.

Para mesditës, një 59-vjeçar ka ndërruar jetë në autostradën Fier-Lushnjë, në fshatin Bishqethëm.

Aksidenti tragjik ndodhi kur motoçikleta më të cilën po lëvizte viktima u përplas me një mjet bujqësor. Drejtuesi i motorit, 59-vjeçari Q.Th., është përplasur në pjesën e pasme të mjetit bujqësor i cili drejtohej nga J.Pina rreth 60 vjeç. Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që trupi i viktimës të përfundojë mbi rimorkion e zetorit.

Megjithë rrethanat e ngjarjes, policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit bujqësor edhe me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit” pasi as mjeti bujqësor dhe as motor nuk duhet të qarkullojnë në këtë rrugë.

Pak më vonë, një tjetër aksident me vdekje ndodhi sërish në Lushnjë në rrugën rurale Krutje-Bubullimë, ku humbi jetën një grua 50-vjeçare me iniciale A.Rr. e cila udhëtonte me motor.

Viktima humbi kontrollin e mjetit dhe u rrëzua në kanalin në anë të rrugës, ku përplasi kokën. 50-vjeçarja nuk mbante kaskë dhe për shkak të dëmtimeve në kokë humbi jetën në vendngjarje.

Ndërkohë, rreth orës 14:00, në një tjetër aksident një 20-vjeçar ka humbur jetën në fshatin Arrameras në Fushë-Krujë.

Një autoveture tip “Smart”, e cila drejtohet nga H.V., 20 vjeç ka dalë nga rruga duke përfunduar në shtratin e lumit Zezë.

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën pasagjeri M.T., 20 vjeç, ndërsa drejtuesi i mjetit është nisur drejt Tiranës në gjendje shoku. Shkak i aksidentit mësohet të jetë shpejtësia dhe një kthese e fortë në këtë rrugë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë