Katër persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë automobilistik që ka ndodhur mëngjesin e të premtes rreth orës 08:23 në autostradën Fier-Vlorë.
Policia thotë se nga aksidenti kanë mbetur viktima 4 anëtarë të një familjeje, të cilët udhëtonin me makinën tip “Toyota” me targa greke, kur u përplasën nga pas nga një automjet tjetër tip “Audi”.
Të vdekur kanë mbetur çifti i bashkëshortëve Eduart Gushi, 44 vjeç, dhe Silvana Gushi, 33 vjeç, dhe 2 vajzat e mitura, A.G., 14 vjeçe dhe E.G., 9 vjeçe, të cilat kanë ndërruar jetë rrugës për në spital. Burimet e policisë Vlorë raportojnë se viktimat janë me origjinë nga fshati Dukas, Patos.
Familja prej vitesh ishin emigrantë në Greqi dhe mësohet se kishin ardhur me pushime për të vizituar familjen e tyre. Aksidenti fatal ndodhi në vendin e quajtur “Kripa”, pranë fshatit Panaja të Vlorës.
Të plagosur kanë mbetur edhe tre shtetasit që udhëtonin në mjetin “Audi”, shoferi dhe pasagjerët, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore: Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi.
Mjeku Edmond Breshani, thotë se dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe do të nisen drejt Spitalit të Traumës për mjekim më të specializuar.
Mjeku pohoi se të tre djemtë janë koshientë dhe të vetëdijshëm. Sakaq sa i përket 4 anëtarëve të familjes, mjeku tha se ato kanë ndërruar jetë në vendngjarje.
“Gjendja e të plagosurve paraqitet stabël. Njëri prej pacientëve ka dëmtime më të mëdha. Pacienti tjetër ka një shembje të komplet turpit dhe njëri është më lehtë me gërvishtje në pjesë të trupit. Dy prej pacientëve do t’i dërgojmë tek Trauma në Tiranë, pasi kanë pësuar dëmtime. Janë të vetëdijshëm. Kanë shfaqje paniku që janë post traumatik. Ndërsa viktimat, kanë ndërruar jetë në vendngjarje, nuk janë paraqitur fare në spital”, – shtoi mjeku.
Në fakt, shërbimet e urgjencës dhe zjarrfikëset e kanë të vështirë të nxjerrin trupat nga automjetet për shkak të përplasjes së fortë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.