Nga Gazeta ‘Si’- Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është institucion krenarie për kryeministrin Edi Rama.
“Jo për të ulur kokën”, theksoi ai në konferencën e fundvitit, 30 dhjetor, referuar gjithë zhurmës së krijuar me masën e sigurisë ndaj Mirlinda Karçanajt që e ka drejtuar atë institucion për shumë vite dhe hetimet për zyrtarë e biznesmenë, të dyshuar se kanë abuzuar me tenderat.
Kreu i qeverisë tha se transformimi digjital në vendin tonë ka ardhur sipas tij pikërisht falë AKSHI-t, duke veçuar gjithë lehtësirat që ka krijuar platforma e-Albania për qytetarët.
“AKSHI është një institucion krenarie, që të jemi shumë të qartë bashkë, jo për të ulur kokën, por për të qenë krenar, sepse kemi qenë këtu ne, keni qenë edhe ju, kur duhet të shkonit të mbanit radha për çdo lloj letra. Kur ata që kishit jashtë duhet të vinin këtu se s’kishin shans të merrnin një copë letër, 620 miliardë lekë, që janë 620 milion euro ka kursyer AKSHI për shqiptarët, falë digjitalizimit. Ky është studim ndërkombëtar. 7 600 vite pritje në radhë! 25 mijë rrotullime rreth Tokës, parafytyrojeni një radhë shqiptarësh që i shkon Tokës 25 mijë herë kështu.
33 milion euro kursime për shqiptarët jashtë vendit, është raport ndërkombëtar, 75 milion fletë letre të kursyera! Falë atij AKSHI-t, 3.4 mln shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025-ën janë 17 milion shërbime të ofruara, 12 mln dokumente të gjeneruara, 1.45 milion shërbime në muaj. Njerëz që klikojnë dhe mbarojnë punë! Dikur jepnin lekë për të marrë një certefikatë.
Jemi vendi që një nga arsyet pse po ecim kaq shpejt me BE-në është AKSHI, kemi ndërtuar me “Diellën” një sistem që bën në një kohë të shkurtër atë që Krocisë iu deshën 7 vite ta bënte.
Skuadra e AKSHI-t ka një sërë garash të fituara brenda NATO-s dhe BE-së.
Rrini, prisni se shumë shpejt, besoj janar-shkurt do të dalim me e-Albania 2.0 falë AKSHI-t dhe do ketë shumë gjëra të reja në atë sistem për shqiptarët, prandaj ata e votojnë Partinë Socialiste. Nuk e votojnë patronazhistët! Në 2029-ën do llafosemi prapë, të tjerat, secili bën punën e vet. Shiu bën punën e vet, se sa pika ka këtu…”, deklaroi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




