Shendet

Aknet në moshat e mëdha/ Dermatologja: Rastet janë shtuar shumë për shkak të vapës

Në përgjithësi mendohet se aknet janë një problem në moshën e adoleshencës. Por një raport i shkurtër nga dermatologia Helena Dinkollari, tregon se ato mund të vijojnë dhe pas kësaj moshe.
Sipas raportit të përpiluar nga dermatologja në bazë të vizitave në klinikën e saj, njerëzit kanë akne edhe në moshën më të madhe (21-30 vjeç).

“Janë analizuar diku tek 500 pacientë që kemi pasur si raste klinike. Është konstatuar se grup mosha më problematike ka qenë grup mosha 16-20 vjeç ose mosha 21-30 vjeç. Janë pak a shumë njëlloj në pjesën e progresit. Kjo për shkak të faktorëve hormonale që është shumë e rëndësishme që ndikojnë gjatë këtyre moshave”, shpjegon Dinkollari për Gazetasi.al.

Prevalenca e rasteve klinike të akneve sipas grupmoshës hartuar nga dermatologia Helena Dinkollari. -Gazeta “Si”-05.07.2022.


Ka shumë faktorë që ndikojnë në shfaqjen e këtyre pikave të vogla në fytyrë apo trup. Mjekja dermatologe shpjegon se shpesh shkaqet e shfaqjes së akneve të vazhdueshme në fytyrë nuk janë të dukshme, por janë prezente brenda në organizëm. Ka faktorë të ndryshëm pse kemi një individ ka akne.

Dinkollari shprehet më tej se problematika e akneve është shtuar shumë.

“Nuk ka raste me akne vetëm për shkak të pluhurit dhe të ndotjes, por edhe për shkak të vapës dhe djersës. Djersa përmban elektrolite të cilat bllokojnë poret. Si rrjedhojë bllokimi i poreve sjell prodhimin e akneve”, shton dermatologia.

Dermatologja Helena Dinkollari, Gazeta “Si”-05.07.2022

Gjithashtu, Dinkollari shpjegon se ndikon edhe pjesa e plazhit. Dermatologia thotë se vendet që frekuentojmë gjatë verës, pishina ose deti, mund të ndodh që nuk janë shumë mirë të dezinfektuara.

“Kështu që një infeksion qoftë mykotik, qoftë bakterial mund t’i transmetohet dikujt tjetër që lahet në të njëjtën pishinë. Ose nga deti kemi hasur shumë raste, për shkak të ndotjes së tij të krijuar nga derdhja e naftës ose nga papastërtia e pushuesve”, shton më tej Dinkollari.

Është e këshillueshme që gjithnjë të konsultoheni me një mjek dermatolog për të gjetur shkakun e këtij inflamacioni, gjithashtu edhe për ruajtjen sa më të mirë të lëkurës.
Më tej mjekja shton se aknet mund të dalin në çdo moshë, ndaj duhet kujdes me mirëmbajtjen e lëkurës ose kurimin e tyre në kohë që mos agravohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë