Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka konstatuar se kostot e terminimit të thirrjeve kombëtare janë të larta dhe çmimi i tyre duhet të ulet deri me 32%.
Kosto e terminimit të thirrjeve kombëtare ka rezultuar rreth 0.751 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet hyrëse ndërkombëtare 0.762 lekë për minutë. Tarifat aktuale të terminimit në Shqipëri janë rreth 1.11 lekë/minutë për të dyja llojet thirrjeve.
AKEP parashikon që ulja e këtyre tarifave drejt kostos të bëhet në mënyrë të përshkallëzuar, sepse në periudhën afatshkurtër ndikimet e krizës së pandemisë mund të jenë të ndjeshme për operatorët.
Mbështetur edhe në eksperiencën e vendeve të tjera, AKEP ka propozuar që ky proces të zgjasë dy vjet, në intervalin 2022-2024.
Sipas dokumentit, parashikohet që tarifa e terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare të ulet në 1.02 lekë/minutë vitin e ardhshëm, në 0.89 lekë/minutë në vitin 2023 dhe përfundimisht në 0.75 lekë/minutë në vitin 2024.
Deri tani, për vendosjen e tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare AKEP është mbështetur në metodën benchmark të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike). Kjo është bërë në mungesë të një metodologjie të mirëfilltë për llogaritjen e kostove të tregut shqiptar.
“Orientimi në kosto i tarifave me shumicë vlerësohet si mënyra më e mirë për të mundësuar një konkurrencë të drejtë dhe të ndershme mes operatorëve në tregun me pakicë. Ulja në kosto e këtyre tarifave iu krijon operatorëve celularë hapësira maksimale për të konkurruar në çmimet me pakicë të thirrjeve mes rrjeteve të ndryshme dhe i heq operatorëve më të mëdhenj avantazhin e të siguruarit të më shumë fitimeve nga terminimi i thirrjeve (për shkak të bazës më të gjerë të abonentëve dhe trafikut më të madh hyrës).”-vlerëson AKEP.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




