Treg

AKEP: Sektorët e ekonomisë dhe shoqërisë ku 5G mund të sjellë ndikim të rëndësishëm

Në vitin 2022 Shqipëria pritet që të nisë procesin e kalimit në gjeneratën e ardhshme të komunikimeve celulare 5G dhe ky kalim sipas analizave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) do të ketë ndikime të rëndësishme në disa sektorë të ekonomisë dhe shoqërisë.

Një nga sektorët ku zhvillimi i teknologjisë pritet të ketë një ndikim të shpejtë është mjekësia. Telemjekësia mund të revolucionarizojë marrëdhënien mes mjekut dhe pacientit dhe do të mundësojë kujdes më të mirë mjekësor në të gjitha zonat e Shqipërisë.

Sipas AKEP, përfshirja e drejtpërdrejtë e specialistëve në klinikat virtuale dhe transferimi i të dhënave të pacientëve në klinikë, mund të krijojë një ndihmë mjekësore urgjente më efikase.

Digjitalizimi ka arritur tashmë në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe mjekësinë në të gjitha fushat e tij funksionale, ndaj kjo teknologji mund të përmirësojë ofrimin e kujdesit mjekësor cilësor, duke siguruar njëkohësisht privatësinë e informacionit shëndetësor të secilit pacient.

Edhe në fushën e arsimit pritet të ketë ndikime.

Pjesëmarrja interaktive në sesionet e mësimdhënies me aplikacione multimediale po bëhet gjithnjë e më popullore, dhe teknologjia 5G sipas AKEP do të lejojë përvoja krejtësisht të reja në këtë fushë. Përdorimi i formave digjitale të mësimdhënies do të lehtësojë më tej prirjen drejt individualizimit të mësimdhënies pavarësisht nga vendi dhe koha.

Rrjetet 5G mund të jenë një mjet shumë i rëndësishëm edhe në drejtim të reagimit ndaj emergjencave dhe mund të jetë mundësi që Shqipëria të lëvizë drejt teknikave më moderne.

Praktikat e vendeve të tjera sugjerojnë që reaguesit e parë ndaj zjarreve dhe emergjencave të tjera mund të përdorin burime të sigurta të rrjetit 5G për të tërhequr hartat e ndërtesave për të identifikuar pikat e hyrjes, rubinetet e ngritësve për tubat e zjarrit, komandimin dhe kontrollin e ashensorit, vizatimet strukturore dhe të dhëna të tjera për vendimmarrje të shpejtë dhe të informuar.

Lundrimi i automatizuar dhe i lidhur në internet mund ta bëjë edhe trafikun rrugor më të sigurt dhe do të përmirësojë rrjedhën e tij.

Sipas analizave të AKEP teknologjia 5G mund të lehtësojë shërbimet inteligjente të ndërtesave, të tilla si matja e mençur, kontrolli i sistemeve të ngrohjes ose monitorimi i infrastrukturave të furnizimit të tilla si uji, ujërat e zeza ose sistemet e ventilimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë