Biznes

AKEP rinovon licencën e ALBTELECOM për 15 vite, pagesa me dy këste

Albtelecom-it i është rinovuar licenca nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike për 15 vite.

Për këtë Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP, Ilir Zela priti në një takim përfaqësues të shoqërisë Albtelecom sh.a, të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Z. Tahsin Yilmaz, lidhur me dorëzimin e Autorizimit Individuial për përdorimin e frekuencave 900 MHz dhe 1800 MHz, të rinovuar me afat 15 vjeçar.

Rinovimi i licencës kushton 10.9 milionë Euro për frekuencat e brezit 900 MHz dhe 1800 MHz, shumë të cilën Albtelecom do ta paguajë në dy këste , secili nga 50% e çmimit total, sipas Aktit të Dakortësisë.

Kësti i parë është shlyer nga Albtelecom sh.a në datën 31.10.2019 në llogarinë e Qeverisë Shqiptare, ndërsa kësti i dytë do të shlyhet brenda datës 31 mars 2020.

Gjatë takimit, u diskutua mbi rëndësinë e vazhdimit të përdorimit të ketyre brezave të frekuencave nga Albtelecom sh.a për pajtimtarët e kësaj kompanie por edhe si investim serioz nga Albtelecom sh.a në fushën e komunikimeve elektronike, në Shqipëri.

Po ashtu sipas informacioneve të raportuara nga AKEP u diskutuan edhe çështje të zhvillimeve teknologjike dhe situatën e tregut të komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke përfshirë edhe bllokun A1 të frekuencave të brezit 800 MHz të paalokuar (4G/4G+) dhe brezat 700 MHz, 3400-3800 MHz dhe 26 GHz të teknologjive 5G, për tu dhënë në përdorim nga AKEP operatorëve celularë në vitet në vijim.

Zela dhe Ylmaz mbajnë qëndrim të njëjtë që dhënia për përdorim e frekuencave të reja, nxit zhvillimin e sektorit të komunikimeve elektronike në Shqipëri si dhe u mundëson shërbime me cilësore pajtimtarëve të operatorëve celularë, duke qenë kështu në një linjë me zhvillimet teknologjike në vendet e BE dhe rajonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë