Taksa

Akcizë e diferencuar për prodhuesit e birrës, Braçe mbështet Tabakun. Financa: Problematike!

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetja demokrate Jorida Tabaku paraqiti në Komisionin e Ekonomisë propozimin e saj për të rikthyer skemën e akcizës së diferencuar për prodhuesit e vegjël të birrës dhe argumentoi se një skemë e tillë tatimi mbron prodhimin vendas “Made in Albania.

Ajo u shpreh se shpesh taksat përdoren si gjoba ndaj bizneseve, për shkak të efektit negativ që japin.

Eksportet shqiptare praktikisht po vdesin, mes tyre edhe produktet “Made in Albania”, duke përfshirë edhe produktin e birrarive të vogla. Kjo vjen si rezultat i dy elementëve kryesorë. I pari lidhet me zhvlerësimin e Euros, çka është diskutuar gjerësisht në këtë komision. Zhvlerësimi i Euros është duke nxjerrë sot nga tregu biznese të tëra që tradicionalisht kanë operuar në Shqipëri. Po lidhet me politikën e gabuar të taksave. Taksa të cilat shpesh herë vendosen si gjobë ndaj bizneseve të vogla. Ndërkohë për oligarkët, kanë favore fiskale. Këto janë gjoba për bizneset që prodhojnë në Shqipëri

Janë gjithsej 9 birrari artizanale që prodhojnë 3985 hekto litra. Duhet që kjo të ishte bazë për turizmin vendas.

Ndryshimet e akcizës për prodhuesit e vegjël, nuk është privilegj, por standard europian. Për mua kjo është taksë fiskale që u vihet bizneseve”, tha ajo.

Deputeti socialistr Erion Braçe, mbështeti propozimin e Tabakut, duke thënë se skema aktuale ka favoizuar klientelizmin në prodhimin e birrës në vend.

“Kjo historia e birrës është edhe histori korrupsioni, edhe histori klientelizmi. Niveli ndryshoj nën 200.000 hektolitra dhe mbi 200.000 hektolitra në varësi të korrupsionit dhe klientelizmit me prodhues birrës. Kur s’kemi me vete e mbajmë regjimin. Kur s’kemi me vete e prishim regjimin. Ndodhi që ua abuzuan me vendin, që ishte vlerësuar 200,000 hektolitrave, për shkak të korrupsionit. Sepse ishte agjenci kryesore zbatuese që merrte atë inspektimin e akcizës, se bëni sikur nuk shikoni që prodhimi ishte mbi 200,000 hektolitra. Propozimi është komplet i arsyeshëm, në qoftë se nuk përton të mendosh. E dyta gjë, kjo s’ka lidhje fare me Bashkimin Europian. Ne nuk jemi vend anëtar i Bashkimit Europian. Ne vazhdojmë t’i shesim turizmit, birrë në italiane, birrë në greke, birrë në serbe, birrë në maqedonase, birrën malazeze”, thotë Braçe.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave argumentoi kundër projektligjit dhe komisioni e hodhi poshtë propozimin e demokratëve.

 “Aplikimi i akcizës me dy nivele ka shfaqur probleme të jashtëzakonshme më parë, për këtë arsye ne nuk e mbështesim”, tha zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj.

Më tej, Yzeiraj deklaroi se brenda vitit, qeveria do të rishikojë edhe TVSH-në edhe akcizë, për të parë cilës sektorë mund të përfitojnë reduktim dhe cilat përjshatime tatimore do të hiqen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë