Nga Gazeta ‘Si’– Një ditë pasi miratoi online statutin e ri, Akademia e Shkencave në Shqipëri ka shkarkuar drejtorët e Instituteve Albanologjike që ishin në gjysmën e mandatit dhe ka emëruar të rinj.
Kryesia e Akademisë që drejtohet nga Skënder Gjinushi, i hapi udhë ndryshimeve duke zhbërë vendimet për drejtues të bëra me zgjedhje. Mbështetur në dispozitën kalimtare te Statutit të Akademisë së Shkencave u vendos që akademiku Adem Bunguri të caktohet drejtor i Institutit te Arkeologjisë.
Prof. dr. Hamit Kaba u caktua drejtor i Institutit të Historisë ndërsa Akad. Valter Memisha u caktua drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Prof. asoc. dr. Olsi Lelaj caktohet drejtor i Institutit të Antropologjisë dhe Akad. asoc. Stefan Çapaliku caktohet drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve.

Gjinushi zhvilloi një takim me drejtuesit e instituteve të albanologjisë ku bëri të njohura për ta aktet kryesore ligjore, nënligjore dhe statutore që përbëjnë bazën e reformës së riorganizimit të studimeve albanologjike si kërkime elitare.
“Ngritja e instituteve të albanologjisë pranë ASHSH, pas ndërprerjes së veprimtarisë së tyre si institucione të arsimit të lartë, jashtë misionit dhe funksioneve për të cilat ishin themeluar, përbën një rregullim në sistem. Me aktet që u miratuan Qeveria zgjidhi një prej problemeve të këtij sistemi, duke u dhënë status të ligjshëm instituteve, me vazhdimin e veprimtarisë së tyre si institute të kërkimit shkencor”, tha Gjinushi.
Ai theksoi se ribashkimi do të ndikojë për të zbutur fragmentarizimin dhe copëtimin e kërkimit shkencor, çrregullin e të cilit do ta zgjidhë miratimi i ligjit të ri për shkencën, që po hartohet nga disa institucione, duke përfshirë Akademinë e Shkencave.
“Tani që aktet themelore të fazës së parë: shtesa në Statut për institutet dhe qendrat e përhershme; konfirmimi i kërkuesve shkencorë në fushat e tyre studimore duke u këshilluar edhe me mendimin e grupeve të punës që u ngritën me ekspertë të jashtëm; miratimi i strukturave dhe organikave, hapja dhe plotësimi i këshillave shkencorë duke rezervuar qartësisht dy të tretat vendimmarrëse për anëtarët e brendshëm; përbëjnë garancitë bazë për liritë dhe autonominë akademike”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




