Shkencë

Akademia e Shkencave bëhet anëtare e EBTNA-s

Nga Gazeta “SI”- Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të përfaqësohet në Asamblenë e Përgjithshme të EBTNA-s (Shoqata Europiane e Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë) dhe do të ketë të drejta të plota për të marrë pjesë në të gjitha iniciativat e saj.

Sipas marrëveshjes, bashkëpunimi do të përfshijë organizimin dhe promovimin e përbashkët të ngjarjeve shkencore, si kongreset, workshop-et, simpoziumet dhe leksionet publike, si dhe aktivitete sociale dhe akademike. Po ashtu, palët do të mbështesin pjesëmarrjen në rrjete kërkimore europiane dhe ndërkombëtare, si dhe projekte bashkëpunimi të koordinuara nga EBTNA dhe institucionet e saj partnere.

Ceremonia u zhvillua gjatë Kongresit Europian të Bioteknologjisë 2025, i cili mbahet për herë të parë në Shqipëri, më 11-13 shtator 2025.

Ky kongres mblodhi rreth 200 pjesëmarrës, përfshirë kërkues, lektorë, përfaqësues të industrive farmaceutike, ushqimore dhe mjekësore, si dhe studentë të profileve të ndryshme. Temat e diskutimit përqendroheshin në bioteknologjitë mjekësore, farmaceutike, mjedisore, bujqësore, industriale, shtazore dhe akuakulturë, me pjesëmarrës nga vende të Bashkimit Europian, Ballkani Perëndimor, Kanada, Izrael, Australi dhe Kinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë