Treg

AK mbyll hetimet për tregun e maskave, dezinfektantët dhe termometrat

Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka mbyllur procedurën e hetimit të thelluar në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të maskave, në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të alkooleve dhe xhel dezinfektues, në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të termometrave. Duke arritur në përfundimin se përgjithësisht ndërmarrjet që veprojnë në këto tregje kanë zbatuar masat e përkohshme të ndërmarra nga Autoriteti i Konkurrencës, të paktën pasi u gjobitën njëherë për moszbatimin e tyre vjeshtën e kaluar.

AK i ka vendosur detyrimet sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës me vendime të veçanta për ndërmarrjet Trimed, Euromed, Farma Net Albania, Alfarmakos, Florifarma, Aquarius Medical, Florfarma, CFO Pharma, Megapharma, NewMedical Plus dhe Pharma One. Një pjesë e këtyre ndërmarrjeve, kanë depozituar pranë AK angazhime vullnetare për të mos ndërmarrë sjellje që ligji i klasifikon si marrëveshje të ndaluara apo abuzime me pozitën dominuese.

Ligji ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.

Në 15 tetor të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të maskave, në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të alkooleve dhe xhel dezinfektues, në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të termometrave. Vendimi erdhi në vijim të hetimit paraprak që ishte hapur në mars 2020, shoqëruar edhe me vendosjen e masave të përkohshme që urdhëronin ndërmarrjet që vepronin në këto tregje të mos abuzonin me çmimet e shitjes së produkteve të lidhura me pandeminë. Atëherë AK konstatoi se 24 ndërmarrje nuk i kishin zbatuar masat e përkohshme dhe i gjobiti ato me gjithsej 3 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë