Drejtësia

Ajola Xoxa pyetet sërish në SPAK, por refuzon të japë sqarime: Dua të njihem me aktet

Gazeta Si – Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt, është paraqitur mëngjesin e kësaj të premteje në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë të vendosur ndaj saj “detyrim paraqitje”.

Megjithatë, sipas burimeve, mësohet se Xoxa është thirrur edhe për t’u marrë në pyetje si person nën hetim dhe mbi rrethanat e reja të hetimeve të SPAK, por nuk ka pranuar të japë deklarime. Mësohet se ajo ka kërkuar të njihet me materialet e SPAK dhe të pyetet në një moment të dytë.

Pas daljes nga prokuroria, ku qëndroi rreth 1 orë, Xoxa nuk ka bërë komente për mediat. Po sot bashkëshortja e Veliajt, e cila shoqërohej nga avokati Maks Haxhia, kishte ditën e paraqitjes në zbatim të masës së sigurisë caktuar nga Gjykata e Posaçme.

Të njëjtat burime, thonë se të njëjtin qëndrim një ditë më parë ka mbajtur edhe Erion Veliaj para prokurorit Olsi Dado.

Kryebashkiaku u shoqërua të enjten nga paraburgimi i Durrësit në SPAK, pasi ndaj tij nisi një hetim i ri, pasi dyshohet se ka thyer rregullat e paraburgimit, duke folur me bashkëshorten me telefonin e një punonjësi të grupit të shoqërimit në furgonin e burgjeve për në GJKKO. Telefonata u zbulua nga celulari i Ajola Xoxës, i cili është vënë në përgjim.

Ndërkohë në seancën e kaluar në Apelin e GJKKO-së, u la në fuqi vendimi për sekuestron preventive ndaj llogarive bankare të saj.

Apeli rrëzoi vendimin e Xoxës që kërkoi heqjen e sekuestrues, ndërkohë që ndaj saj vazhdon të jetë në fuqi dhe masa ‘detyrim paraqitje’.

Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Bashkëshorti i saj, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt dhe që prej asaj dite është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të SPAK për disa akuza, përfshirë një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Sipas SPAK, çifti kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste.

Gjatë kësaj jave, hetuesit kanë marrë në pyetje vetë Veliajn, biznesmenin Elman Abule dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë