Në fillim Reali, pastaj Juventus dhe tashmë duket se është radha e Totenhamit që të hapë rrugën për Ajaksin drejt finales së Ligës së Kampionëve. Holandezët kanë fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale me Totenhamin në Londër, duke bërë një hap të madh drejt finales. 0-1 u mbyll sfida në stadiumin e ri të Totehamit që është bërë dëshmitar i një ndeshje spektakolare, sidomos në pjesën e parë, ku talentet e “harkëtarëve” magjepsën publikun me lojën e tyre.
Golin, Ajaksi do e gjente shumë shpejt, që në minutën e 15’ me anë Den Bek, duke vendosur një rekord, pasi këtë edicion ka shënuar të paktën një gol në nëntë ndeshje radhazi në këtë kompeticion. Vendasit londinez, të shtyrë nga publiku i zjarrtë provuan të bëjnë diçka ndryshe për ta barazuar këtë ndeshje, por nuk e kishin forcën e duhur.
Ajaksi nga ana tjetër edhe në pjesën e dytë, pati disa raste flagrante për të shënuar edhe golin e sigurisë. Megjithatë me këtë fitore në transfertë, Ajaksi niset i favorizuar për në ndeshjen e kthimit që do të luhet në “Johan Krojf Arena”. Gjithsesi duhet të tregohet i kujdesshëm, pasi bileta për në finalen e “Wanda Metropolitano” ende nuk është prerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




