Gazeta Si – Aishe Haklaj, motra e vëllezërve Haklaj të vrarë në 20 vitet e fundit në ngjarjet e Tropojës, ka lënë ambientet e SPAK mbrëmjen e të premtes, pasi dëshmoi prej rreth 8 orësh.
Para mediave ajo foli shkurt, duke mos dhënë asnjë informacion rreth asaj çfarë ka deklaruar në prokurori për shkak të lodhjes, por edhe sekretit hetimor.
“Pushteti i vetëm që kemi mundur t’i drejtohemi deri tani, besimi jonë është ende te SPAK dhe Gjykata e Posaçme. Nuk mund të them më shumë për shkak të sekretit hetimor. Kemi këtu njeriun e besuar të familjes, avokatin tonë Idajet Beqiri”, – u shpreh ajo.
Nuk dihet shkaku ende arsyeja zyrtare e thirrjes së saj pranë ambienteve të institucionit, por mësohet se motra e Haklajve ka pasur një flet thirrje në kuadër të një hetimi.
Dyshohet se ajo është marrë në pyetje, pasi ajo vetë dhe familjarë të saj, kanë kallëzuar ish-kryeministrin Sali Berisha para SPAK-ut me akuzën se bashkë me bandën e tij të armatosur ka shfarosur familjarët e tyre në Tropojë.
Sipas “Report Tv”, përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, të akuzuar janë edhe 15 persona të tjerë.
Ajo pretendon se Berisha është personi që ka organizuar vrasjen e vëllezërve të saj, si dhe disa personave të tjerë, nga viti 1998 deri në 2000-in, ngjarje të ndodhura në Tropojë.
Kjo është hera e parë që Aishe Haklaj merret në pyetje në cilësinë e kallëzueses për këtë padi. E gjithë familja Haklaj, ka nisur një jetë të re në Suedi, ku kanë fituar azil politik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




